Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI84/22, të parashtruar nga Slavica Đorđević, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev. nr. 170/2021] të 19 tetorit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës. Gjykata, njëzëri, vendosi që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) Aktvendimi [Rev. nr. 170/2021] i 19 tetorit 2021 i Gjykatës Supreme, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe që (iii) Aktvendimi [Rev. nr. 170/2021] i 19 tetorit 2021 i Gjykatës Supreme, të shpallet i pavlefshëm dhe të kthehet në rivendosje në pajtim me Aktgjykimin e Gjykatës.
Aktgjykimi fillimisht sqaron se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesën e parashtrueses së kërkesës që (i) në kuadër të procedurave gjyqësore të lirohej nga pagesa e taksës gjyqësore në shumën prej njëmijë (1.000) euro, të paraparë për padinë e parashtruar, përmes së cilës kërkonte kompensim të dëmit; si dhe (ii) kishte propozim për caktimin e masës së sigurisë mbi pronën përkatëse kontestuese dhe lidhur me të cilën Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë Aktgjykimin KI86/18 në vitin 2021. Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, kishin refuzuar si të pabazuar kërkesën e parashtrueses për lirim nga pagimi i taksës gjyqësore dhe shpenzimet procedurale. Përgjatë këtyre procedurave, bazuar në nenin 96 (pa titull) të Ligjit nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore, gjuha në procedurë ishte gjuha e parashtrueses së kërkesës, përkatësisht ajo serbe. Kërkesa e parashtrueses përkatëse për revizion në Gjykatën Supreme ishte refuzuar si e pasafatshme, vendimmarrje të cilën parashtruesja e kërkesës e ka kontestuar para Gjykatës, duke pretenduar cenimin e të drejtave të saj që burojnë nga neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] i Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E Drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në kontekst të qasjes në drejtësi. Kjo sepse, kërkesa për revizion në Gjykatën Supreme (i) ishte dorëzuar brenda afateve të përcaktuara me ligjin e aplikueshëm nga momenti kur ishte pranuar në gjuhën serbe Aktvendimi përkatës i Gjykatës së Apelit; por jo (ii) brenda afateve të përcaktuara me ligjin e aplikueshëm nga momenti kur ishte pranuar në gjuhën shqipe Aktvendimi përkatës dhe të cilin parashtruesja e kërkesës kishte kërkuar ta pranoj në gjuhën e saj.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, Gjykata, fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me të drejtën e qasjes në gjykatë, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, përmes nenit 96 (pa titull) të Ligjit nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore, përcaktohet e drejta themelore e palëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në procedurë për të përdorur gjuhën e tyre amtare ose një gjuhë që ata e kuptojnë gjatë zhvillimit të procedurave para gjykatës, në rast se pala paraqet një kërkesë të tillë. Në rrethanat e rastit konkret, me kërkesën e palës, e tërë procedura gjyqësore ishte zhvilluar në gjuhën e zgjedhur të parashtrueses së kërkesës, me përjashtim të vendimmarrjes përfundimtare të Gjykatës së Apelit, përkundër faktit që bazuar në dispozitën e lartcekur, kjo gjykatë kishte detyrimin që palës të ia dorëzonte vendimin përkatës në gjuhën e zgjedhur në procedurë. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, kërkesa pasuese e parashtrueses për të pranuar vendimin përkatës në gjuhën e saj, kishte rezultuar në pasoja lidhur me afatet përkitazi me përdorimin e mjetit juridik në Gjykatën Supreme, fakt ky të cilin kjo e fundit kishte dështuar të marrë parasysh në rrethanat e rastit, duke rezultuar në cenimin e të drejtës së saj për qasje në gjykatë.
Aktgjykimi i Gjykatës gjithashtu sqaron që, konstatimet e saj ndërlidhen vetëm me aspektin e qasjes në drejtësi në kontekst të garancive procedurale kushtetuese dhe në asnjë mënyrë nuk paragjykojnë vendimmarrjen meritore të Gjykatës Supreme gjatë rivendosjes së këtij rasti.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org