Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI49/23, të parashtruar nga Shaban Dulahu dhe të tjerët, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ-UZVP.NR.109/2022] të 20 tetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës. Gjykata, njëzëri, vendosi që (i) të shpallë kërkesën të pranueshme; (ii) Aktgjykimi [ARJ-UZVP.NR.109/2022] i 20 tetorit 2022 i Gjykatës Supreme të Kosovës nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe që (iii) Aktgjykimi [ARJ-UZVP.NR.109/2022] i 20 tetorit 2022 i Gjykatës Supreme të Kosovës të shpallet i pavlefshëm dhe të kthehet në rivendosje në pajtim me Aktgjykimin e Gjykatës.
Aktgjykimi fillimisht sqaron se, rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me ankesën që parashtruesi i kërkesës Shaban Dulahu, e kishte paraqitur në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPMK), lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores mbi organizimin e brendshëm të administratës qendrore të Universitetit të Prishtinës të modeleve të sistematizimit për fakultete, si dhe Rregullores lidhur me të ardhurat personale në Universitetin e Prishtinës (në tekstin e mëtejmë: UP). KPMK-ja e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës. Më pas, ky i fundit parashtroj padi kundër vendimit të KPMK-së në Gjykatën Themelore, e cila iu refuzua gjithashtu si e pabazuar.
Vendimi i Gjykatës Themelore u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit, e cila refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës Shaban Dulahu. Ndërkohë, parashtruesit e kërkesës Shaban Dulahu, Suzana Gusija, Mustafë Zhinipotoku dhe Tasim Vehapi paraqitën padi kundër UP-së në emër të kompensimit të pagave për punën shtesë pas orarit të rregullt dhe në komisione, duke filluar nga viti 2006 deri më 1 tetor 2012. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm e aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës dhe detyroi palën e paditur, UP “Hasan Prishtina”, që parashtruesve të kërkesës t’ua paguajë kompensimin e pagave për punën shtesë pas orarit të rregullt dhe në komisione për periudhën e lartcekur.
Gjykata e Apelit, duke vepruar në bazë të ankesës së palës së paditur, respektivisht UP-së, prishi aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe çështjen e ktheu tek gjykata e shkallës së parë në rigjykim. Gjykata Themelore-Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni Civil, në rigjykim vendosi që: (i) Gjykata Themelore-Departamenti Civil shpallet jo kompetent në pikëpamje lëndore, për të vendosur në këtë çështje juridike; (ii) pas plotfuqishmërinë së këtij aktvendimi, lënda do t’i dorëzohet Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje të dispozitave të Ligjit Nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative (në tekstin e mëtejmë: LKA) me propozim që ankesa të aprovohet dhe vendimi i ankimuar të ndryshohet ashtu që të aprovohet kërkesa në tërësi, ose çështja të kthehet në rivendosje. Gjykata e Apelit e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesve të kërkesës ndërsa vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore-Departamenti për Çështje Administrative. Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore-Departamenti për Çështje Administrative me të drejtë ka hedhë poshtë padinë e parashtruesve në këtë çështje juridiko-administrative, për shkak se kjo çështje juridike është gjë e gjykuar res iudicata me aktgjykim të formës se prerë. Gjykata Supreme refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesve për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, të paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, duke vlerësuar se për këtë çështje ekziston vendimi i formës së prerë dhe se në situatën konkrete, kjo çështje është gjë e gjykuar (res iudicata) nga ana e gjykatave të instancës më të ulët.
Në vijim, Aktgjykimi sqaron se, në kërkesën e tyre dorëzuar në Gjykatë, parashtruesit e kërkesës pretenduan se përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme të Kosovës, u është cenuar e drejta e tyre e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si rezultat i vlerësimit të kërkesëpadisë së tyre për kompensim për punë shtesë pas orarit, si çështje e gjykuar res iudicata. Parashtruesit e kërkesës theksuan se, ekzistojnë dallime ndërmjet padisë së mëhershme të parashtruesit të kërkesës Shaban Dulahu dhe kërkesëpadisë së tyre përkitazi me objektin e kontestit, palët dhe identitetin e tyre, dhe se faktet e çështjes po ashtu nuk janë të njëjta.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata, fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me të drejtën për qasje në gjykatë, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Së pari, Gjykata vërejti se parashtruesit e kërkesës, në kërkesën e tyre për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme – në substancë dhe shprehimisht – kanë theksuar se, padia e tyre ka të bëj me kompensim për punë jashtë orarit. Ndërsa, kërkesa e mëhershme e parashtruesit të kërkesës Shaban Dulahu kishte të bënte me ndryshimin e Rregullores mbi organizimin e brendshëm të administratës qendrore të UP-së dhe Rregullores lidhur me të ardhurat personale në UP. Në kontekst të rrethanave të rastit konkret, Gjykata vlerësoi se në rastin e parashtruesve të kërkesës kemi të bëjmë me një “kontest të vërtetë dhe serioz”, në mes të parashtruesve të kërkesës, si paditës dhe punëdhënësit të tyre UP si palë e paditur, e cila pretendohet se ka një detyrim ligjor (obligim monetar) për të përmbushur ndaj parashtruesve të kërkesës për kompensim për punën jashtë orarit. Gjykata në vazhdim vlerësoi nëse Gjykata Supreme me rastin refuzimit si të pabazuar të kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, ua ka mohuar parashtruesve të kërkesës të drejtën për “qasje në gjykatë” përkatësisht zgjidhjen meritore të rastit të tyre. Gjykata vlerësoi se, në procedurën administrative që u zhvillua në departamentet administrative përkatëse të Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme (i) nuk u shqyrtua kërkesëpadia shprehimore e parashtruesve të kërkesës për kompensim nga UP-ja për punën shtesë pas orarit të punës; por (ii) në vend të saj, shqyrtuan kërkesëpadinë e mëhershme të parashtruesit të kërkesës Shaban Dulahu lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores mbi organizimin e brendshëm të administratës qendrore të UP-së dhe Rregullores lidhur me të ardhurat personale në UP, të cilën e konsideruan si çështje të gjykuar res iudicata. Gjykata vlerësoi se, qasja e gjykatave të rregullta përfshirë Gjykatën Supreme, të cilat fare nuk shqyrtuan objektin e kërkesëpadisë lidhur me kompensim për punën shtesë pas orarit, është e papajtueshme me të drejtën e parashtruesve të kërkesës për qasje në gjykatë, sepse u pamundëson këtyre të fundit shqyrtimin në merita të rastit të tyre përkundër faktit se bëhet fjalë për një kontest “të vërtetë dhe serioz”.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi që përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme të Kosovës, si rezultat i mohimit të qasjes në gjykatë përkatësisht mos marrjes së përgjigjes në merita lidhur me kompensimin për punën shtesë pas orarit të punës, parashtruesve të kërkesës u është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org