Njoftim për publikimin e aktgjykimit KI43/24

30.10.2024

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI43/24, të parashtruar nga Merita Visoka, Eroll Visoka dhe Melinde Visoka, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev. nr. 382/2023] të 17 tetorit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës. Gjykata njëzëri, vendosi që (i) të shpallë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë se Aktvendimi [Rev. nr. 382/2023] i 17 tetorit 2023, nuk është në përputhje me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt ) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktvendimin [Rev. nr. 382/2023] e 17 tetorit 2023 të Gjykatës Supreme dhe të kthejë të njëjtin për rishqyrtim në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate.

Aktgjykimi fillimisht sqaron që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest për vërtetim pronësie në prona të paluajtshme, në të cilën procedurë parashtruesit e kërkesës ishin në cilësinë e paditësve. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, (i) prona në fjalë ishte shpronësuar në vitin 1980, e cila më pas ishte regjistruar si pronë shoqërore në emër të Komunës së Podujevës; (ii) parashtruesit e kërkesës filluan procedurën ligjore, përmes së cilës kërkuan që të vërtetohej se ata janë pronarë të pronës së paluajtshme; dhe (iii) të njëjtit në kërkesëpadinë e tyre nuk e kishin specifikuar vlerën e kontestit në fjalë. Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit refuzuan në tërësi padinë e parashtruesve të kërkesës, ndërsa kërkesa për revizion e parashtruar në Gjykatën Supreme u refuzua për arsye procedurale, përkatësisht arsyetimit që vlera e objektit të kontestit nuk e kalon pragun prej 3.000 euro sipas përcaktimeve të paragrafit 3 të nenit 211 (pa titull) të Ligjit për Procedurës Kontestimore, përkundër faktit që e njëjta nuk ishte e përcaktuar në procedurat paraprake.

Parashtruesit e kërkesës, para Gjykatës, kontestojnë Aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Supreme, duke pretenduar shkelje të të drejtave të mbrojtura me nenin 3 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në thelb, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se përmes vendimit të Gjykatës Supreme është cenuar e drejta e tyre për „qasje në gjykatë“ e garantuar me nenet e lartcekura të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër të tjera sepse (i) gjykatat nuk e përcaktuan vlerën e objektit të kontestit sipas detyrës zyrtare përkundër detyrimit specifik që rrjedh nga Ligji për Procedurën Kontestimore; ndërsa (ii) Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën për revizion pikërisht në bazë të vlerës së kontestit, pavarësisht dështimit të gjykatave më të ulëta për të përcaktuar këtë vlerë.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata (i) elaboroi parimet e përgjithshme të së drejtës për qasje në gjykatë, të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të afirmuara përmes praktikës gjyqësore së Gjykatës Kushtetuese, përfshirë këtu edhe parimet dhe kriteret e zhvilluara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me kufizimin ratione valoris për qasje në gjykatat të shkallës më të lartë, për të vazhduar (ii) me aplikimin e këtyre parimeve dhe kritereve në rrethanat e rastit konkret.

Aktgjykimi i Gjykatës në mënyrë specifike i referohet parimeve dhe kritereve të vendosura në rastin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut Zubac kundër Kroacisë, të cilat Gjykata Kushtetuese i ka aplikuar edhe në rastin para saj, përkatësisht, KI199/22, parashtrues P.T.P. “Arta XH”, që ndërlidhen me kufizimin ratione valoris për qasje në Gjykatën Supreme. Aktgjykimi, fillimisht thekson se nuk është kontestuese kompetenca e Gjykatës Supreme e përcaktuar me ligj, që para vlerësimit të revizionit në merita, të shqyrtojë lejueshmërinë e revizionit në kuptim të pragut ratione valoris bazuar në paragrafin 3 të nenit 211 të Ligjit për Procedurën Kontestimore. Përveç kësaj, në zbatimin e kritereve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, në Aktgjykim gjithashtu theksohet se, duke marrë parasysh vetë thelbin e juridiksionit dhe kompetencës së Gjykatës Supreme për të gjykuar për çështjet e ligjshmërisë së vendimeve të marra nga gjykatat e shkallës më të ulët, si autoriteti më i lartë gjyqësor, pragu ratione valoris është (i) i përcaktuar me ligj; dhe (ii) ndjek një qëllim legjitim, i cili shërben për të mbështetur sundimin e ligjit dhe administrimin të mirëfilltë të drejtësisë.

Megjithatë, në vlerësimin e asaj nëse, në rrethanat e rastit konkret, vlerësimi i pragut ratione valoris ishte proporcional me qëllimin legjitim, Gjykata, konsideroi se përfundimi i Gjykatës Supreme, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe të praktikës së saj gjyqësore, cilësohet si “formalizëm i tepruar” në interpretimin dhe zbatimin e ligjit në kontekstin e qasjes në gjykatë, ndër të tjera, sepse është detyrim i Gjykatës Supreme të interpretojë dhe zbatojë dispozitat e Ligjit për Procedurën Kontestimore në tërësinë e tyre dhe se refuzimi i revizionit me argumentin që nuk kalohet vlera e objektit të kontekstit në rrethana në të cilat kjo vlerë nuk ishte përcaktuar nga gjykatat më të ulëta përkundër detyrimeve që burojnë nga ligji i aplikueshëm, ka rezultuar në cenimin e së drejtës së parashtruesve për qasje në drejtësi, përkatësisht të drejtës për të përdorur në mënyrë efektive mjetin juridik të kërkesës për revizion sipas dispozitave të Ligjit për Procedurën Kontestimore.

Gjykata theksoi gjithashtu faktin se konstatimi i saj për shkeljen e paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i referohet vetëm rrethanave specifike të këtij rasti, vlerësimi i të cilave duhet të bëhet rast pas rasti, dhe i referohet vetëm të drejtës për qasje në gjykatë, respektivisht në Gjykatën Supreme, dhe në asnjë mënyrë nuk paragjykon rezultatin e meritave të rastit.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org