Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI36/23, të parashtruar nga “Dona Impex” sh.p.k., në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [E. Rev. nr. 45/2021] të 10 nëntorit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës. Gjykata, njëzëri, vendosi që (i) të shpallë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatoj se ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës të Republikës së Kosovës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktgjykimin [E. Rev. nr. 45/2021] e 10 nëntorit 2022 të Gjykatës Supreme dhe të kthejë të njëjtin në rivendosje në pajtim me Aktgjykimin e Gjykatës.
Aktgjykimi fillimisht sqaron se, rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontratë mbi qiranë të lidhur më 6 prill 2005, në mes të parashtruesit të kërkesës dhe Ndërmarrjes Publike Banesore, për shfrytëzimin e një lokali, të cilin raport kontraktual nga shkresat e lëndës rezulton se palët e kanë vazhduar me kontratat e 7 marsit 2006, 27 gushtit 2007, 15 shtatorit 2009, dhe në mënyrë të heshtur deri më 7 mars 2014. Më pas, Ndërmarrja Publike Banesore parashtroi padi në Gjykatën Komunale kundër parashtruesit të kërkesës, për pagesë borxhi nga baza e kontratës mbi qiranë e lokalit afarist për periudhën kontestuese, përkatësisht 2005-2014. Pasi që Gjykata Komunale në Prishtinë ishte shpallur jokompetente për të vendosur lidhur me rastin, lënda ishte transferuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe kjo e fundit, kishte miratuar në tërësi kërkesëpadinë e Ndërmarrjes Publike Banesore, duke e obliguar parashtruesin që të paguaj borxhin e përgjithshëm në emër të qirasë në shumën prej 33.766,01 euro. Pas ankesës së parashtruesit në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit kishte miratuar ankesën dhe çështjen e kishte kthyer në rivendosje, procedurë kjo që sërisht kishte rezultuar në miratimin e kërkesëpadisë së Ndërmarrjes Publike Banesore. Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte vërtetuar më pas nga Gjykata e Apelit, ndërsa Gjykata Supreme ndonëse refuzoi si të pabazuar revizionin e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës, në arsyetim të aktgjykimit të saj, megjithatë kishte theksuar që vendimi i shkallës së dytë, përkatësisht ai i Apelit “është i përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore” .
Parashtruesi i kërkesës kontestoi vendimmarrjen e Gjykatës Supreme para Gjykatës, duke pretenduar se i janë cenuar të drejta e tij të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) dhe nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke argumentuar, në thelb, që Aktgjykimi i Gjykatës Supreme, ishte kundërthënës dhe i paarsyetuar.
Gjykata, me qëllim të vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, fillimisht i kërkoi Gjykatës Supreme që të dorëzojë sqarimet përkatëse në lidhje me paragrafin e Aktgjykimit të saj, i cili siç u theksua më lartë, ndër të tjera, përkundër faktit që theksoi që vendimi i Gjykatës së Apelit është i përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, refuzoi si i pabazuar revizionin e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës. Në përgjigjen e saj, Gjykata Supreme sqaroi se gjyqtari i cili kishte kryesuar Kolegjin në këtë rast, ishte në pension dhe se nga përmbajtja e përgjithshme e Aktgjykimit të kontestuar vërehet që paragrafi në fjalë, rezulton të jetë gabim teknik.
Në kontekstin e lartcekur dhe sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Gjykata konsideroi se parashtruesi kishte ngritur para Gjykatës çështje thelbësore në lidhje me trajtimin e çështjes së tij, respektivisht faktin se, vendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme kishte kundërthënie në mes të (i) arsyetimit të dhënë, respektivisht paragrafit kontestues i cili edhe rezulton të jetë në kundërshtim me pjesën tjetër të arsyetimit dhe vet dispozitivin, sipas të cilit, revizioni i parashtruar nga parashtruesi kundër vendimit të lartcekur të Gjykatës Apelit është refuzuar si i pabazuar. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Gjykata, ndër tjerash, vlerësoi se, pjesa e arsyetimit të Aktgjykimit të kontestuar, i cila rezulton të jetë në kundërshtim me vet dispozitivin, nuk rezulton të jetë çështje thjesht teknike, por reflekton mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor në kundërshtim me garancitë procedurale ndërlidhur me të drejtën në gjykim të drejtë dhe të paanshëm sipas përcaktimeve të Kushtetutës.
Rrjedhimisht, bazuar në gjithë atë që u tha me lartë, Gjykata konstatoi që Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk plotëson standardin e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar. Në fund, Aktgjykimi gjithashtu sqaron se, konstatimi i Gjykatës ndërlidhet vetëm me mungesën e arsyetimit të vendimit gjyqësor dhe në asnjë mënyrë nuk paragjykon meritat e rastit përgjatë rivendosjes së Gjykatës Supreme.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org