Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI23/24, të parashtruar nga Agim Zogaj, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-21-0836-A0001] të 26 tetorit 2023 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Gjykata, njëzëri, vendosi që (i) të shpallë kërkesën të pranueshme; (ii) Aktgjykimi [AC-I-21-0836-A0001] i 26 tetorit 2023 i Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës nuk është në përputhshmëri me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe që (iii) Aktgjykimi [AC-I-21-0836-A0001] i 26 tetorit 2023 i Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës të shpallet i pavlefshëm dhe të kthehet në rivendosje në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate.
Fillimisht, Aktgjykimi sqaron se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesën e parashtruesit të dorëzuar tek Autoriteti i Likuidimit i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për kompensimin e pagave të papaguara për periudhën tetor 2003 – qershor 2014, si i punësuar tek NSH “Auto Prishtina”. Pasi që kërkesë e tij u refuzua, me arsyetimin se e njëjta ishte parashkruar, parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe NSH “Auto Prishtina”, përmes së cilës kërkoi që t’i njihej e drejta e kompensimit për pagat e papaguara për periudhën kohore të lartpërmendur. Më 15 nëntor 2021, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës përmes Aktgjykimit e aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe vendosi gjithashtu që të mos mbajë seancë dëgjimore. Kundër Aktgjykimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, Autoriteti i Likuidimit i Agjencisë Kosovare të Privatizimit dorëzoi ankesë në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për shkak të vlerësimit të gabuar të gjendjes faktike dhe juridike, ndaj të cilës më pas, parashtruesi i kërkesës dorëzoi përgjigje në ankesë. Më 26 tetor 2023, Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, përmes Aktgjykimit, e vlerësoi si të bazuar ankesën e Autoritetit të Likuidimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe ndryshoi Aktgjykimin e shkallës së parë, ashtu që refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se sipas dispozitave të Ligjit Nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve, kërkesa e tij ishte parashkruar. Gjithashtu, përmes Aktgjykimit të lartpërmendur, Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës vendosi të mos mbajë seancë të shqyrtimit gjyqësor.
Në vijim, Aktgjykimi sqaron se, parashtruesi i kërkesës, në kërkesën e tij dorëzuar në Gjykatë, pretendoi se përmes Aktgjykimit të kontestuar të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, i është cenuar e drejta e tij e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si rezultat i zbatimit të gabuar të ligjit, që në thelb përkon me (i) mosarsyetim të vendimit gjyqësor; dhe (ii) mosmbajtje të seancës dëgjimore.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata, fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me vendimin e arsyetuar gjyqësor dhe mbajtjen e seancës dëgjimore, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Së pari, lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, për shkak të mosarsyetimit të vendimit gjyqësor, Gjykata konstatoi se përmes Aktgjykimit të lartcekur, Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës nuk kishte elaboruar mjaftueshëm se si ishte arritur parashkrimi edhe për 3 (tre) vitet e fundit para paraqitjes së padisë, gjegjësisht për vitet 2011-2014. Në këtë aspekt, Gjykata konstatoi se Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës ofroi një konkludim të përgjithshëm dhe arsyetim të pamjaftueshëm lidhur me parashkrimin e kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës, gjegjësisht mungesën e ofrimit të ndonjë prove mbi ndërprerjen e parashkrimit dhe pavlefshmërisë së listës së 12 shtatorit 2014, provë të cilën në raste të tjera të ngjashme me të parashtruesit të kërkesës, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës e kishte pranuar si të vlefshme. Së dyti, lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mungesë të mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata, duke aplikuar parimet që burojnë nga praktika e saj gjyqësore dhe ajo e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, theksoi që në parim, mbajtja e seancës dëgjimore në të paktën njërën nga instancat gjyqësore është detyrim kushtetues, ndërsa përderisa përjashtimet nga ky parim janë të mundshme, rrethanat e rastit konkret, nuk përkojnë me mundësinë e këtij përjashtimi, dhe rrjedhimisht, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, nuk kanë ekzistuar rrethana të cilat do të mund të justifikonin mungesën e seancës dëgjimore.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi që përmes Aktgjykimit të kontestuar të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, si rezultat i mosarsyetimit të vendimit gjyqësor dhe mosmbajtjes së seancës dëgjimore, parashtruesit të kërkesës i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org