Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI177/22, të parashtruar nga Pashk Bibaj, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-II-21-0058] të 23 majit 2022, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Gjykata, njëzëri, vendosi që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë se Aktgjykimi [AC-II-21-0058] i 23 majit 2022 nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktgjykimin [AC-II-21-0058] e 23 majit 2022, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit; (iv) të kthejë Aktgjykimin [AC-II-21-0058] e 23 majit 2022, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për rivendosje sipas konstatimeve të Aktgjykimit të Gjykatës.
Aktgjykimi fillimisht sqaron që, rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me faktin se parashtruesi i kërkesës dhe Kooperativa Bujqësore “SH.A. Bec” në vitin 2001 kishin lidhur kontratën për shitblerjen e paluajtshmërive, prona të “SH.A. Bec”, të cilën e kishin regjistruar në Gjykatën Komunale në Pejë, më 14 mars 2002. Më 3 mars 2005 dhe 5 korrik 2006, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit kishte paraqitur kërkesë për mosregjistrimin e paluajtshmërive në emër të parashtruesit të kërkesës, në Zyrën Kadastrale në Gjakovë. Më 28 prill 2016, Agjencia Kosovare e Privatizimit parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Gjakovë, nëpërmjet së cilës kërkoi anulimin e kontratës së shitblerjes dhe dorëzimin e paluajtshmërive në posedim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me arsyetimin se kontrata e shitblerjes ishte lidhur dhe vërtetuar në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi dhe në kundërshtim me rregullat për shitjen e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore. Parashtruesi i kërkesës, në përgjigjen e tij ndaj padisë së Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kundërshtoi në tërësi padinë duke pretenduar se kontrata e shitblerjes është lidhur në pajtim me dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve.
Gjykata Themelore, më 2 gusht 2019, vendosi që të refuzojë padinë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit si të pabazuar, me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës “është blerës i paluajtshmërive të cilat janë objekt i kontratës”. Agjencia Kosovare e Privatizimit, më 16 shtator 2019, paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore. Më 28 shtator 2021, Gjykata e Apelit përcolli dosjen e rastit në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës duke e konsideruar se e njëjta ka kompetencë lëndore për vendosje lidhur me ankesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Nga dosja e lëndës rezulton që, Gjykata e Apelit, me rastin e dorëzimit të dosjes së rastit në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (i) nuk kishte përfshirë përgjigjen e parashtruesit të kërkesës ndaj ankesës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit; dhe se (ii) parashtruesi i kërkesës nuk ishte njoftuar në lidhje me transferimin e rastit të tij në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Si rezultat i transferimit të çështjes në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, kjo e fundit, pasi konstatoi kompetencën lëndore në lidhje me padinë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, aprovoi ankesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit si të bazuar dhe ndryshoi Aktgjykimin [C. nr. 210/16] e Gjykatës Themelore, të 2 gushtit 2019.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi Aktgjykimin e lartcekur të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, duke pretenduar shkelje të të drejtave të tij të mbrojtura me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës pretendoi që, këto të drejta i janë cenuar për shkak se, si rezultat i mos njoftimit nga ana e instancave gjyqësore për transferimin e çështjes së tij në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, atij i (i) ishte pamundësuar paraqitja e provave në favor të tij; dhe (ii) po ashtu i ishte pamundësuar që të kërkojë mbajtjen e seancës dëgjimore në këtë instancë gjyqësore.
Në këtë kuptim, Gjykata vlerësoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës ndërlidhen me parimin e kontradiktoritetit në procedurë gjyqësore dhe të drejtën e tij për t’u dëgjuar, si pjesë përbërëse të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Rrjedhimisht, Gjykata sqaroi se është fokusuar në pretendimin e parashtruesit të kërkesës për të kërkuar mbajtjen e një seance dëgjimore para Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, e mundësuar sipas dispozitave të Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me parimin e kontradiktoritetit dhe të drejtën për të kërkuar mbajtjen e seancës dëgjimore, si dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.
Bazuar në këtë, Gjykata në vijim vlerësoi se: (i) mbështetur në nenin 69 (Procedurat e ankesës me gojë) të Ligjit të aplikueshëm për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, parashtruesi i kërkesës ka të drejtë t’i parashtrojë Kolegjit të Apelit kërkesë për mbajtje të seancës dëgjimore, përmes së cilës i njëjti në kuptim dhe në kuadër të parimit të kontradiktoritetit, ka të drejtë të paraqesë argumentet dhe dëshmitë e tij që ndërlidhen me kërkesëpadinë e Agjencisë Kosovare për Privatizim; (ii) megjithatë, një kërkesë e tillë parashtruesit të kërkesës i ishte pamundësuar për shkak se, i njëjti nuk ishte njoftuar në lidhje me transferimin e çështjes së tij nga Gjykata e Apelit në Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, qoftë nga Gjykata e Apelit apo vetë Kolegji i Apelit.
Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se përmes Aktgjykimit të kontestuar të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, si rezultat i mohimit të së drejtës për të parashtruar kërkesën për mbajtjen e seancës dëgjimore, parashtruesit të kërkesës i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Bazuar në këtë konstatim, Gjykata theksoi se Kolegji i Apelit Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, në procedurë të rivendosjes, dhe në kuptim të së drejtës së tij për t’u dëgjuar duhet që parashtruesit të kërkesës t’i mundësojë paraqitjen e të gjitha argumenteve përkitazi me çështje të ligjit dhe të fakteve, përfshirë edhe ofrimin e mundësisë për të paraqitur prova të reja.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org