Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI121/22, të parashtruar nga Mexhid Asllani, Ekrem Asllani dhe Nuredin Xhaferi, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev. nr. 434/2022] të 24 majit 2022 për plotësimin e Aktgjykimit [Rev. nr. 426/2021] të 29 qershorit 2021 të Gjykatës Supreme dhe Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 1148/2018], të 4 marsit 2020. Gjykata, me pesë (5) vota për dhe katër (4) kundër, konstatoi se (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) se ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ky Aktgjykim është plotësuar edhe me mendime mospajtuese.
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest civil mes parashtruesve të kërkesës dhe kompanisë së sigurimeve “Sigal Uniqua Group Austria” në lidhje me një aksident komunikacioni që kishte ndodhur në magjistralen Ferizaj – Kaçanik, nga i cili parashtruesit e kërkesës pësuan lëndime trupore. Si rezultat, parashtruesit e kërkesës, më 15 korrik 2015, parashtruan kërkesëpadi për kompensimin e dëmit material dhe jomaterial në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Kjo e fundit kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e tyre, duke akorduar për secilin prej parashtruesve një vlerë monetare të caktuar. Të pakënaqur me vlerën e kompensimit, parashtruesit e kërkesës dhe “Sigal Uniqua Group Austria” e kishin apeluar Aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit. Gjykata e Apelit, më 4 mars 2020, kishte vendosur vetëm përkitazi me ankesën e të paditurës “Sigal Uniqua Group Austria”, por jo edhe për ankesën e parashtruesve të kërkesës. Si rrjedhojë, me të pranuar Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, parashtruesit e kërkesës, por edhe e paditura “Sigal Uniqua Group Austria”, parashtruan kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme. Kjo e fundit, më 29 qershor 2021, nxori Aktgjykimin [Rev. nr. 426/2021] nëpërmjet të cilit kishte refuzuar në tërësi revizionin e të paditurës “Sigal Uniqua Group Austria”, por nuk kishte vendosur sërish lidhur me kërkesën për revizion të parashtruesve të kërkesës. Këta të fundit, i ishin drejtuar sërish Gjykatës Supreme dhe për pasojë, Gjykata Supreme nxori Aktvendim plotësues [Rev. nr. 434/2022], më 24 maj 2022, nëpërmjet të cilit hodhi poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesve të kërkesës, për shkak të vlerës së kontestit nën shumën prej tre mijë (3,000) euro për secilin parashtrues.
Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës Kushtetuese kontestuan vendimet e lartcekura, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tyre të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në esencë, parashtruesit pretenduan cenimin e të drejtës së tyre për “qasje në drejtësi” nga ana e (i) Gjykatës së Apelit, për shkak të mos shqyrtimit të ankesës së tyre; dhe (ii) Gjykatës Supreme, për shkak të mos marrjes në shqyrtim të pretendimit thelbësor për mohimin e drejtësisë dhe të mjetit juridik nga Gjykata e Apelit.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata fillimisht (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me parimin e qasjes në drejtësi; dhe (ii) më pas i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret, duke rikujtuar që, në parim, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, gjegjësisht për qasje në drejtësi, nuk reflekton vetëm të drejtën për të filluar procedura, por edhe të drejtën për të marrë një zgjidhje të kontestit përkatës nga një gjykatë e pavarur e themeluar me ligj. Në këtë aspekt, Gjykata fillimisht shqyrtoi pretendimet e parashtruesve të kërkesës përkitazi me shkeljen e të drejtës për qasje në drejtësi nga ana e Gjykatës së Apelit, duke arritur në përfundimin se kjo e fundit, duke mos e trajtuar fare ankesën e 31 gushtit 2017, as me Aktgjykimin [Ac. nr. 1148/2018] e 4 marsit 2020 dhe as me ndonjë vendim të veçantë, ua kishte pamundësuar parashtruesve të kërkesës shqyrtimin e thelbit të pretendimeve të ngritura në ankesë, kundër Aktgjykimit përkatës të Gjykatës Themelore. Ndërsa, përkitazi me shkeljet e pretenduara nga ana e Gjykatës Supreme, Gjykata vlerësoi kjo gjykatë do të duhej fokusuar në thelbin e shkeljes së pretenduar nga parashtruesit e kërkesës, që ishte e drejta në mjet juridik para Gjykatës së Apelit dhe jo të pranonte si të mirëqenë Aktgjykimin [Ac.nr.1148/2018] e 4 marsit 2020, të Gjykatës së Apelit, me të cilin nuk u vendos për të drejtat dhe detyrimet civile të parashtruesve të kërkesës, por për ato të të paditurës, përkatësisht, “Sigal Uniqua Group Austria”.
Për pasojë dhe siç është shpjeguar në hollësi në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konkludoi se Aktvendimi [Rev. nr. 434/2022] i 24 majit 2022, për plotësimin e Aktgjykimit [Rev. nr. 426/2021] të 29 qershorit 2021 të Gjykatës Supreme, dhe Aktgjykimi [Ac. nr. 1148/2018] i 4 marsit 2020 i Gjykatës së Apelit janë nxjerrë në shkelje të të drejtave kushtetuese të parashtruesve të kërkesës, të garantuara me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Së bashku me Aktgjykimin është publikuar edhe Mendimi mospajtues.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org