Njoftim për publikimin e aktgjykimit KI103/24

24.09.2024

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI103/24, të parashtruar nga Sylejman Zeneli, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.485/2022] të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 5 janarit 2023. Gjykata, njëzëri (i) deklaroi se kërkesa është e pranueshme;  (ii) konstatoi se ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iii) shpalli të pavlefshëm Aktgjykimin [Rev.nr.485/2022] të Gjykatës Supreme, të 5 janarit 2023, si dhe të ktheu të njëjtin për rishqyrtim në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me marrëdhënien e punës që parashtruesi i kërkesës kishte me Limak Kosovo International Airport “Adem Jashari” J.S.C, në pozitën e Menaxherit të Sigurimit, nga viti 2002. Bazuar në shkresat e lëndës, në vitin 2012, “Limak Kosova” ia kishte ndërprerë parashtruesit të kërkesës marrëdhënien e punës me pretendimin se i njëjti  ka dështuar në përmbushjen e detyrave të përcaktuara në kontratën e tij të punës. Pas kontestimit të këtij vendimi nga ana e parashtruesit të kërkesës, Gjykata Themelore, nëpërmjet Aktgjykimit [C.nr.412/2015], aprovoi padinë e parashtruesit të kërkesë, duke urdhëruar kthimin në vendin e punës dhe kompensimin e pagave të humbura. Ky Aktgjykim ishte vërtetuar nëpërmjet  Aktgjykimit [AC.nr.1276/17] të 20 korrikut 2020 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimit [Rev.nr. 508/2020] të 26 prillit 2021, të Gjykatës Supreme. Si rezultat, sipas parashtruesit të kërkesës, ai ishte kompensuar për pagat e humbura deri në moshën e pensionimit të tij, në vitin 2017.

Megjithatë, duke marrë parasysh që në vitin 2017 parashtruesi i kërkesës kishte arritur moshën e pensionimit, ai kishte parashtruar padinë e dytë ndaj “Limak Kosova”, duke kërkuar kompensimin e tri (3) pagave përcjellëse të pensionimit, dhe të dy (2) pagave jubilare bazuar në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, e cila ishte në fuqi nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetori 2017. Gjykata Themelore, nëpërmjet Aktgjykimit [C.nr.312/2019] të 20 janarit 2020, refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se të njëjtit: (i) nuk i takon shpërblimi jubilar, pasi që në kohën kur ai kishte arritur vitin jubilar në vitin 2012, Marrëveshja e  Përgjithshme Kolektive, nuk ishte në fuqi; ndërsa për sa i përket (ii) kompensimit të pagave përcjellëses të pensionimit si rezultat i  daljes në pension, parashtruesi i kërkesës në momentin e pensionimit nuk kishte qenë në marrëdhënie të punës tek “Limak Kosova”. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore ishte vërtetuar nëpërmjet Aktgjykimit [Ac.nr.4626/20] të 16 shtator 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimit të kontestuar [Rev.nr.485/2022] të 5 janarit 2023 të Gjykatës Supreme.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi Aktgjykimin [Rev.nr.485/2022] e 5 janarit 2023 të Gjykatës Supreme, që ndërlidhej me padinë e dytë, përkatësisht kërkesën për kompensimin e tri (3) pagave përcjellëse pas pensionimit dhe të dy (2) pagave jubilare, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës, si dhe paragrafin 1 të nenit 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me interpretimin dhe zbatimin e gabuar dhe arbitrar të ligjit, sipas së cilave Gjykata Kushtetuese mund të bëjë vlerësimin e interpretimeve dhe zbatimit të ligjeve nga ana e gjykatave të rregullta vetëm përjashtimisht dhe atë vetëm nëse ato interpretime mund të kenë rezultuar në konkluzione arbitrare ose qartazi të paarsyeshme; dhe më pas (ii) i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, në lidhje me refuzimin e padisë së parashtruesit të kërkesës që ndërlidhet me kërkesën për  kompensimin e tri (3) pagave përcjellëse pas pensionimit, Gjykata vërejti se Gjykata Supreme duke u thirrur në nenin 53 (Kompensimi në rast të pensionimit) të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, që përcakton se “i punësuari, me rastin e pensionimit, gëzon të drejtën në pagesën përcjellëse në lartësi prej tri (3) paga mujore, që i ka marrë për tre (3) muajt të fundit”, vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk i takon kjo e drejtë pasi ai nuk ka kryer në mënyrë efektive punët dhe detyrat e punës te i padituri në tre muajt e fundit para pensionimit, dhe nuk ka realizuar të ardhura mujore tek i padituri. Lidhur me këtë, Gjykata vlerësoi se neni 53 (Kompensimi në rast të pensionimit) i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, në rrethanat e rastit konkret, është interpretuar në mënyrë të shkëputur,   duke shpërfillur faktin se parashtruesi i kërkesës kishte vendim të formës së prerë për kthim në vendin e  punës, dhe se për këtë arsye i njëjti nuk mund të punonte efektivisht tek punëdhënësit deri në ditën e pensionimit të tij. Si pasojë, Gjykata vlerësoi se interpretimi i nenit 53 (Kompensimi në rast të pensionimit) të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive nga Gjykata Supreme, në rrethanat e rastit konkret, ka rezultuar në konkluzione arbitrare për parashtruesin e kërkesës, në kundërshtim me të drejtën për gjykim të drejtë të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ndërsa sa i përket të drejtës për pagesën e  dy (2) pagave jubilare, Gjykata, bazuar në ligjin e aplikueshëm dhe në praktikën e saj gjyqësore përkitazi me raste të tilla, pretendimet e parashtruesit të kërkesë për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, si rezultat i mos akordimit të pagave jubilare, i vlerësoi si të pabazuara, pasi duke pasur parasysh që ai ishte punësuar tek “Limak Kosova” në vitin 2002, viti jubilar në rastin e tij ishte përmbushur në vitin 2012, në  periudhën kur në Kosovë nuk ka ekzistuar kontrata kolektive.

Vërejtje: 

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org