Njoftim për publikimin e aktgjykimit KI 74/22

11.12.2023

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI 74/22, të parashtruar nga Zoran Đokić, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml.nr.19/2022] të 15 shkurtit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, ndërlidhur me Aktgjykimin [APS.nr.22/2021] të 12 tetorit 2021 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [ST.nr.15/19] të 11 shkurtit 2021 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të dorëzuar në Gjykatë bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata njëzëri konstatoi: (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) të konstatojë, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, Aktgjykimi i Gjykatës Supreme [Pml.nr.19/2022] i 5 shkurtit 2022; Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit [APS.nr.22/2021] i 12 tetorit 2021 dhe Aktgjykimi i Gjykatës Themelore [ST.nr.15/19] i 11 shkurtit 2021, nuk janë në kundërshtim me paragrafët 1, 2 dhe 4 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 6 (3) (a), (b) dhe (d) (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me aktakuzën që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur kundër parashtruesit të kërkesës për shkak të krimeve të luftës, në shkelje të nenit 3 (Konfliktet pa karakter ndërkombëtar) të Konventave të Gjenevës nga 12 gushti 1949 dhe Protokollet Shtesë nga 1977 dhe 2005, bazuar në paragrafin 1 të nenit 152 (Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës) të Kodit nr.04/L-82 Penal të Republikës së Kosovës dhe nenit 142 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës, ndër tjerash, për shkak se, në bashkëkryerje, kishte kryer veprën penale Krime të Luftës Kundër Popullatës Civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së, lidhur me nenin 3 të Konventës së Gjenevës dhe nenin 4 (Garancitë Themelore) të Protokollit Shtesë të Konventave të Gjenevës të 12 gushtit të vitit 1949 për Mbrojtjen e Viktimave të Konflikteve të Armatosura Jo Ndërkombëtare të 8 qershorit të vitit 1977, dhe për pasojë e dënoi me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) vitesh. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal dhe vendimit për dënimin. Parashtruesi i kërkesës, ndër tjerash, u ankua përkitazi me zgjerimin e aktakuzës dhe dëshmitarëve përkatës, duke kërkuar që të lirohet nga akuza. Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, duke vepruar sipas ankesës dhe kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, respektivisht, vërtetuan Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Themelore.

Para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës pretendoi shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 3 (a) dhe (d) të nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar, ndër tjerash, se (i) prokuroria dhe gjykatat e rregullta nuk ia dhanë mundësinë që të deklarohet për aktakuzën e ndryshuar dhe të zgjeruar kundër tij; (ii) veprimet hetimore, përkatësisht marrja në pyetje e dëshmitarëve, palëve të dëmtuara dhe identifikimi i parashtruesit të kërkesës, janë kryer pa praninë e mbrojtësit; (iii) sipas paragrafit 2 të nenit 288 (Kërkesat pas caktimit të shqyrtimit gjyqësor) të Kodit nr. 04/L-123 të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, propozimi i dëshmitarëve të rinj mund të pranohet vetëm nëse dëshmitarët e propozuar nuk janë njohur në kohën e mbajtjes së shqyrtimit të dytë fillestar, gjë që në rastin e tij ky nuk ishte rasti; dhe (iv) gjykatat e rregullta nuk kanë dëgjuar dëshmitarët që do të kishin dëshmuar në favor të parashtruesit të kërkesës ose të paktën dëshmia e tyre do të ishte neutrale.

Gjykata vlerësoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës në kuadër të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, siç garantohet me nenin 31 E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në këtë kontekst (i) së pari shtjelloi parimet e përgjithshme lidhur me të drejtën për t’u informuar për ndryshim dhe zgjerim të aktakuzës, të drejtat e mbrojtjes në proces penal, të drejtën për ballafaqim të dëshmitarëve dhe dëgjim të dëshmitarëve në favor të parashtruesit të kërkesës, siç është e garantuar me aktet e lartcekura, dhe më pas (ii) i zbatoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.

Në këtë kontekst dhe sipas shtjellimeve të detajuara në Aktgjykim, Gjykata vlerësoi se: (i) prokurori me kohë ka njoftuar mbrojtësin e parashtruesit të kërkesës lidhur me zgjerimin e aktakuzës, çka edhe është konstatuar gjatë procesit gjyqësor nga Gjykata e Apelit se mundësia e ushtrimit praktik dhe efektiv të mbrojtjes ndaj zgjerimit të aktakuzës i është dhënë mbrojtjes së parashtruesit të kërkesës; (ii) zgjerimi i aktakuzës kundër parashtruesit të kërkesës nuk ka ndryshuar kualifikimin e veprës penale dhe nuk ka ndryshuar rolin e parashtruesit të kërkesës në kryerjen e veprës penale; (iii) gjykatat e rregullta kanë shpjeguar se dëshmitarët janë ballafaquar me parashtruesin e kërkesës dhe/ose mbrojtjen e tij dhe se të njëjtin e kanë identifikuar që ka qenë prezent në situata të caktuara kur janë kryer veprat penale; (iv) gjykatat e rregullta nuk kanë mohuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës për të propozuar dëshmitarë të rinj, veçse të njëjtat kanë theksuar se propozimi i dëshmitarëve vlen edhe për palët e dëmtuara, çka është në pajtim me parimin e “barazisë së armëve” siç garantohet me të drejtë për gjykimit të drejtë dhe të paanshëm; (v) gjykatat e rregullta kanë dëgjuar edhe dëshmitarët në favor të parashtruesit të kërkesës, ndërsa pesha që u akordohet dëshmisë së atyre dëshmitarëve është çështje e juridiksionit dhe fushëveprimit të gjykatave të rregullta.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org