Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot publikoi aktgjykimin në rastin KI 230/21, të parashtruar nga “Global Trade-af” sh.p.k., në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ARJ-UZVP-nr. 45/2021], të 28 prillit 2021.
Kontesti kishte filluar pas procedurës së rivlerësimit nga Dogana e Kosovës të vlerës së mallit të deklaruar për zhdoganim nga parashtruesi i kërkesës, të cilin e kishte importuar nga kompania kineze “Kompania BAI LEE”. Vendimi për rivlerësim ishte kontestuar nga parashtruesi i kërkesës në shkallë të dytë tek Dogana e Kosovës e cila kishte konfirmuar vendimin e shkallës së parë, duke konstatuar, ndër të tjerash, se vlera e mallit të deklaruar nuk rezultonte të jetë vlerë reale e paguar për mallin me qëllim importi. Këto vendime ishin kontestuar nga parashtruesi i kërkesës në gjykatat e rregullta, dhe të cilat kishin vërtetuar konstatimet e Doganës së Kosovës.
Përgjatë procedurave gjyqësore, seancë dëgjimore ishte mbajtur para Gjykatës Themelore, por jo edhe para Gjykatës së Apelit. Andaj, ndër tjerash, kontestuese ishte detyrimi i Gjykatës së Apelit për mbajtjen e seancës dëgjimore, çështje të cilën parashtruesi i kërkesës e kishte ngritur përmes kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit, duke theksuar, mes tjerash, se Gjykata e Apelit, ishte e detyruar që të mbajë seancë dëgjimore, sepse paragrafi 1 të nenit 81.G (Seanca e shqyrtimit) të Ligjit 04/L-102 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat nr. 03/L-222, saktësisht përcakton se divizioni Fiskal i Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore dhe Gjykata e Apelit duhet të mbajnë seanca publike ku palët dëgjohen dhe provat shqyrtohen. Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, duke mos adresuar pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mos-mbajtjen e seancës dëgjimore nga Gjykata e Apelit.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi shkelje të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejtat në proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga Gjykata Supreme, pasi kjo e fundit, nuk ka trajtuar përkatësisht nuk ka arsyetuar pretendimin e tij thelbësor dhe përcaktues lidhur me mos-mbajtjen e seancës dëgjimore publike nga Gjykata e Apelit.
Gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, Gjykata fillimisht shtjellojë dhe më pas aplikoi në rrethanat e rastit konkret parimet e praktikës gjyqësore të saj dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke rikujtuar që bazuar në të njëjtat, shkalla në të cilën zbatohet detyrimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit konkret, por se megjithatë është detyrim i të gjitha gjykatave të adresojnë dhe arsyetojnë pretendimet thelbësore dhe vendimtare të palëve.
Në rastin konkret Gjykata konstatoi se, Gjykata Supreme nuk i kishte dhënë përgjigje parashtruesit të kërkesës në lidhje me pretendimin lidhur me çështjen e mos-mbajtjes së seancës publike në Gjykatën e Apelit, siç përcaktohet me nenin 81.G të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat. Gjykata konsideroi se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës është i rëndësishëm, thelbësor dhe vendimtar në drejtim të ushtrimit të së drejtave të tij procedurale. Gjykata gjithashtu theksoi që konstatimi i saj ndërlidhet me të drejtat procedurale të parashtruesit të kërkesës dhe gjetjet që i përmban Aktgjykimi nuk paragjykojnë në as një mënyrë meritat e rastit të kthyer në rishqyrtim.
Për rrjedhojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar [ARJ-UZVP-nr.45/2021] i 28 prillit 2021 i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara në nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke e kthyer të njëjtin për rishqyrtim në Gjykatën Supreme.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara.
Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në: https://gjk-ks.org/vendimet/.