Njoftim për publikimin e aktgjykimit KI 206/21

05.09.2023

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI 206/21, të parashtruar nga Ukë Salihi, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev. nr. 584/2020], të 22 prillit 2021.

Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me padinë e parashtruesit të kërkesës kundër Policisë së Kosovës, pasi që kjo e fundit ia refuzoi kërkesën për nivelizimin e pagës së tij, për punët që i ka kryer nga viti 2010 deri në vitin 2015 si Zëvendës Kryesues i Komisionit të Brendshëm Disiplinor, brenda Policisë së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë fillimisht e kishte aprovuar padinë e parashtruesit të kërkesës si të bazuar, por pas ankesës së Policisë së Kosovës, Gjykata e Apelit e ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe e hodhi poshtë kërkesën e parashtruesit si të pabazuar. Ndërsa, Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi në tërësi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Bazuar në shkresat e lëndës, ndaj ankesës së parashtruar në Gjykatën e Apelit nga Policia e Kosovës, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur përgjigje, por në Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit ajo nuk është shqyrtuar. Për më tepër, Gjykata e Apelit i konfirmoi Gjykatës se përgjigja në padinë e parashtruesit të kërkesës ishte dorëzuar me kohë, por për shkak të gabimit teknik e ka pranuar pas nxjerrjes së vendimit të kontestuar.

Parashtruesi i kërkesës kontestoi në Gjykatë Aktgjykimin e lartpërmendur të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij të mbrojtura me (i) nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], (ii) nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe (iii) nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; në thelb, për shkak të: (i) mos shqyrtimit të përgjigjes së tij ndaj ankesës së palës kundërshtare dhe, si pasojë, shkeljes së parimit të “barazisë së armëve”; (ii) zbatimit të gabuar të ligjit; si dhe (iii) mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor.

Gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata u përqendrua në pretendimet lidhur me parimin e “barazisë së armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit”, si rezultat i së cilës Gjykata e Apelit nuk e shqyrtoi përgjigjen e parashtruesit të kërkesës ndaj ankesës së palës kundërshtare, duke shtjelluar fillimisht (i) parimet e përgjithshme në lidhje me parimin e “barazisë së armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit” procedural, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe praktikën përkatëse gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas (ii) i zbatoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Nisur nga këto parime, Gjykata fillimisht sqaroi se, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi përgjigjen në ankesë brenda afatit ligjor dhe vlerësoi se Gjykata e Apelit, pasi nuk e ka shqyrtuar përgjigjen ndaj ankesës në Aktgjykimin [Ac. nr. 2046/17] të 9 korrikut 2020, nuk arriti të garantojë zbatimin e parimit të “barazisë së armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit” procedural, sepse parashtruesi i kërkesës u vu në një pozitë dukshëm më pak të favorshme në krahasim me palën e kundërt, dhe si rrjedhojë i ishte hequr mundësia për t’u përballur realisht dhe në mënyrë thelbësore me argumentet dhe pretendimet e bëra nga pala e kundërt.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi që aktgjykimet e kontestuara të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit duhet të shpallen të pavlefshme, dhe çështja të kthehet në Gjykatën e Apelit për rigjykim. Gjykata gjithashtu theksoi faktin se, nga ana e saj, konstatimi i shkeljes së paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në rrethanat e rastit konkret i referohet vetëm garancive procedurale që lidhen me parimin e “barazisë së armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit” procedural, përkatësisht mos shqyrtimin e përgjigjes ndaj ankesës nga Gjykata e Apelit, dhe që në asnjë mënyrë nuk lidhet apo paragjykon rezultatin e rastit në merita.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara.
Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org