Njoftim për publikimin e aktgjykimit KI 189/20

11.11.2021

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot publikoi aktgjykimin në rastin KI 189/20, të parashtruar nga IPKO Telecommunications L.L.C, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ARJ-UZPV.nr.17/2020], të 20 janarit 2020.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me pretendimet e parashtruesit të kërkesës, në cilësinë e ofruesit të shërbimeve të komunikimeve elektronike, se bazuar në Ligjin për Komunikimet Elektronike dhe për qëllime të interesit publik, është i liruar nga ngarkesa me tatim të pronë të paluajtshme, pretendim ky i cili përtej një Aktgjykimi të Gjykatës Themelore, ishte refuzuar edhe nga Komuna respektive por edhe përmes Aktgjykimeve të Gjykatës së Apelit dhe Supreme, respektivisht e të cilat parashtruesi i kërkesës i konteston para Gjykatës.

Nga shkresat e lëndës rezulton që pas ngarkimit me pagimin e tatimit në pronën e paluajtshme për “BTS Antena” nga Komuna e Gjakovës, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Bordin Komunal për ankesa në tatim në pasurinë e paluajtshme, me arsyetimin se shqiptimi i faturës së tatimit në pronë është në kundërshtim me nenin 22 (Baza për instalimin e infrastrukturës së komunikimeve elektronike) të Ligjit për Komunikime Elektronike, në bazë të së cilës dispozitë, i njëjti pretendonte se lirohej nga pagesa e tatimit në pronë. Komuna e Gjakovës e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, duke lënë në fuqi faturën e tatimit në pronë. Në procedurat para gjykata të rregullta, Gjykata Themelore fillimisht e kishte aprovuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër Komunës së Gjakovës, duke e detyruar të njëjtën që ta liroj parashtruesin e kërkesës nga borxhi i tatimit në pronë. Megjithatë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme respektivisht, duke vepruar sipas ankesës së Komunës së Gjakovës dhe më pas, sipas kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të parashtruesit të kërkesës, ndryshuan Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke refuzuar përfundimisht pretendimet e parashtruesit të kërkesës, që bazuar në Ligjin për Komunikimet Elektronike, ishte i liruar nga tatimi në pronë.

Para Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës, ndër tjerash, kishte pretenduar se Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit përmes të cilit ishte ndryshuar Aktgjykimi i Gjykatës Themelore, nuk i plotësonte kriteret e një vendimi të arsyetuar gjyqësor, sepse nuk kishte sqaruar dallimin në mes taksës në pronë, nga e cila janë të liruara rrjetet e komunikimeve elektronike dhe facilitetet shoqëruese sepse ndërtimi i tyre është në interesin publik sipas Ligjit për Komunikimet Elektronike dhe tatimit në pronë, nga i cili nuk janë të liruara të njëjtat, sipas Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Parashtruesi i kërkesës iu kishte referuar gjithashtu edhe interpretimit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare sipas të cilit, taksa dhe tatimi i referuar në dy Ligjet respektive kanë kuptimin e njëjtë, dhe operatorët e rrjeteve të komunikimeve elektronike janë të liruara nga e njëjtat. Duke marrë parasysh që, sipas parashtruesit të kërkesës Gjykata Supreme vetëm kishte konfirmuar vendimin e Gjykatës së Apelit dhe nuk kishte adresuar dhe as arsyetuar pretendimet e tij të ngritura përmes kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit, para Gjykatës parashtruesi i kërkesës, pretendoi shkelje të se drejtës së tij në gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me Kushtetutë dhe Konventë Evropiane për Drejtat e Njeriut.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor, dhe më pas, aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata, bazuar në praktikën e saj të konsoliduar gjyqësore, dhe për aq sa është relevante në rrethanat e rastit konkret, ndër tjerash, theksoi se mosdhënia e përgjigjeve të qarta dhe të plota përkitazi me pretendime thelbësore dhe përcaktuese të ngritura nga parashtruesi i kërkesës e që ndërlidhen me specifikat dalluese të tatimit në pronë dhe taksës në pronë të paluajtshme të përcaktuara përmes dy ligjeve, Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe Ligjin për Komunikimet Elektronike, respektivisht, nuk është në përputhje me garancitë që ndërlidhen me të drejtën për një vendim të arsyetuar, si pjesë përbërëse e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me Kushtetutë dhe Konventë Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara përmes nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejtat në proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke e kthyer të njëjtin në rishqyrtim në Gjykatën Supreme.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara.
Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në: https://gjk-ks.org/vendimet/.