Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot publikoi aktgjykimin në rastin KI 143/22, të parashtruar nga “Hidroenergji” sh.p.k., në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [ARJ. UZVP. nr. 51/2022], të datës 19 korrik 2022.
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me vendimet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Mjedisit dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, për lëshimin e lejes ujore dhe lejes mjedisore respektivisht, bazuar në Ligjin nr. 04/L-147 për Ujërat e Kosovës dhe Ligjin nr.03/L-025 për Mbrojtjen e Mjedisit, të cilat i kanë mundësuar parashtruesit të kërkesës investimin nëpërmjet ndërtimit të infrastrukturës për hidrocentrale me qëllim të ushtrimit të aktivitetit të tij biznesor për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme. Dy organizata jo-qeveritare kontestuan ligjshmërinë e këtyre dy vendimeve nëpërmjet padive të parashtruara në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke propozuar, ndër tjerash, shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të Ministrisë deri në vendosjen e çështjes në mënyrë meritore.
Gjykata Themelore e kishte aprovuar si të bazuar propozimin e dy organizatave jo-qeveritare dhe kishte marrë vendimin që të shtyhet ekzekutimi i vendimeve të Ministrisë përgjegjëse për Mjedis, përkatësisht lejes ujore dhe asaj mjedisore, derisa Gjykata Themelore të vendos me vendim përfundimtar përkitazi me meritat e çështjes. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës, në cilësinë e palës së interesuar, Gjykata e Apelit vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore, ndërsa, kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Supreme, kjo e fundit këtë kërkesë e refuzoi si të pabazuar duke vërtetuar konstatimet e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit nr.1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor dhe interpretimit të gabuar të ligjit, në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me theks në procedurën e zhvilluar në Gjykatën Supreme.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me arsyetimin e vendimeve gjyqësore dhe interpretimin qartazi të gabuar dhe arbitrar të ligjit, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Në këtë aspekt, Gjykata konstatoi që, Gjykata Supreme, përtej përshkrimit të dispozitave ligjore, nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm përkitazi me kriteret që duhet të plotësohen për të vendosur për pezullimin e vendimeve të Ministrisë përkatëse për Mjedis. Për më tepër, dhe përkundër faktit që mungesa e trajtimit të këtyre dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative ishte ngritur në mënyrë të vazhdueshme nëpër instanca gjyqësore përmes ankesave përkatëse nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata Supreme kishte miratuar qëndrimin e Gjykatës Themelore dhe atë të Gjykatës së Apelit, duke mos adresuar argumentet thelbësore të tij.
Në këtë kuptim, Gjykata në rastin KI202/21, me parashtrues “Kelkos Energy” sh.p.k., kishte theksuar rëndësinë që vendosja e masave të përkohshme, përkatësisht pezullimi i ekzekutimit të vendimeve, deri në zgjidhjen meritore të çështjeve duhet të jetë i arsyeshëm, proporcional dhe i bazuar në arsyetim të detajuar të plotësimit të kritereve të përcaktuara në këtë kontekst në dispozitat respektive të Ligjit për Konfliktet Administrative. Më konkretisht, Gjykata duke dhënë një vlerësim të tërësishëm të rrethanave të rastit konkret, konstatoi se, Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme në lidhje me Aktvendimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit, nuk ka adresuar plotësisht dhe në mënyrë të qartë faktet vendimtare dhe kushtet ligjore të përcaktuar me nenin 22 të Ligjit për Konfliktin Administrativ, përkitazi me lejimin e shtyrjes së ekzekutimit të dy vendimeve të Ministrisë përkatëse për Mjedis, dhe si rrjedhojë të njëjtat janë përfshirë me interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit, të cilat kanë rezultuar në konkluzione arbitrare për parashtruesin e kërkesës.
Gjykata theksoi se, Aktgjykimi i saj është nxjerrë vetëm përkitazi me procedurën për pezullimin e vendimeve të kontestuara për lëshimin e lejes ujore dhe asaj mjedisore nga Ministria përkatëse për Mjedis para gjykatave të rregullta, deri sa këto të fundit të vendosin lidhur me meritat e padisë. Çështja e ligjshmërisë së vendimeve të kontestuara të Ministrisë përkatëse për Mjedis është në shqyrtim para gjykatave të rregullta dhe Aktgjykimi i Gjykatës në këtë rast në asnjë mënyrë nuk paragjykon vendimmarrjen e tyre përkitazi me padinë ndaj vendimeve të kontestuara të kësaj ministrie.
Përfundimisht, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se, Aktgjykimi [ARJ. UZVP. nr. 51/2022] i 19 korrikut 2022 i Gjykatës Supreme, Aktvendimi [AA. nr. 386/2022] i 26 majit 2022 i Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimi [A. nr. 3129/2021] i 12 prillit 2022 i Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor dhe interpretimit dhe zbatimit arbitrar të ligjit, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në Gjykatën Themelore.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara.
Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në: https://gjk-ks.org/vendimet/