Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI 122/21, të parashtruar nga Lekë Bytyqi, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [CPP.nr. 1/2021], të 10 marsit 2021.
Rrethanat e rastit ndërlidhen me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për të drejtën pronësore përkatëse, procedurë kjo e cila kishte filluar me padinë e parashtruesit të kërkesës për vërtetim të së drejtës së pronësisë, përfshirë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, përmes të cilës kërkonte që N.B.-së, Sh.B.-së dhe A.B.-së, respektivisht, t’iu ndalohet që ta tjetërsojnë apo ta ngarkojnë objektin e kontestuar deri në zgjidhjen definitive të kontestit përkatës. Para gjykatave të rregullta, janë zhvilluar një numër procedurash për kërkesën për caktimin e masës së sigurisë. Bazuar në shkresat e lëndës rezulton që fillimisht Gjykata Themelore në Prizren, në vitin 2015, (i) kishte refuzuar si të pabazuar propozimin për caktimin e masës së përkohshme; ndërsa (ii) kishte vendosur që padia duhej të konsiderohej e tërhequr, duke marrë parasysh që parashtruesi i kërkesës nuk i ishte përgjigjur kërkesës së gjykatës përkatëse për plotësim të padisë. Ankesat e parashtruesit kundër vendimeve të Gjykatës Themelore i kishte hedhur poshtë si të palejuara Gjykata e Apelit. Thënë këtë, rezulton që duke vepruar sipas kërkesës për revizion të parashtruesit të kërkesës, më 23 shkurt 2016, Gjykata Supreme kishte kthyer në rivendosje vendimmarrjen e Gjykatës së Apelit lidhur me procedurën sipas të cilës, padia fillestare e parashtruesit të kërkesës ishte konstatuar si e tërhequr nga Gjykata Themelore. Përderisa çështja ishte në pritje për rivendosjes, në vitin 2021, palët e interesuara N.B., Sh.B. dhe A.B., parashtruan propozim për përsëritjen e procedurës në Gjykatën Supreme, nën pretendimin e fakteve të reja lidhur me vendimmarrjen e Gjykatës Supreme të vitit 2016 dhe e cila e kishte kthyer çështjen e tërheqjes/mos-tërheqjes së padisë në rivendosje në Gjykatën e Apelit. Përgjigjen në propozimin për përsëritjen e procedurës para Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës e kishte dorëzuar pas kalimit të afatit pesëmbëdhjetë (15) ditor të përcaktuar përmes paragrafit 2 të nenit 237 të Ligjit Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore.
Gjykata Supreme e miratoi si të bazuar propozimin e palëve të interesuara për përsëritje të procedurës, duke refuzuar, përkatësisht hedhur poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës të vitit 2015 të paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit i cili kishte refuzuar ankesën e parashtruesit të kërkesës kundër vendimmarrjes së Gjykatës Themelore lidhur me konstatimin se padia fillestare duhej të konsiderohej si e tërhequr.
Gjykata Supreme, kishte nxjerrë vendimin e lartcekur, lidhur me propozimin për përsëritjen e procedurës para kalimit të afatit pesëmbëdhjetë (15) ditor të përcaktuar përmes paragrafit 2 të nenit 237 të Ligjit Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore. Parashtruesit i kërkesës, i konteston konstatimet e Gjykatës Supreme para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të drejtave të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër tjerash, si rezultat i cenimit të parimit (i) res judicata; dhe (ii) të barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me parimin e barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit; dhe më pas (ii) zbatoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Në këtë kontekst, Gjykata, fillimisht sqaroi që vendimmarrja e gjykatave të rregullta përkitazi me konstatimin nëse padia fillestare do të duhej të konsiderohej e tërhequr ose jo nuk e kishte arritur statusin e vendimit res judicata. Thënë këtë, Gjykata vuri theks në faktin që Gjykata Supreme, në kundërshtim me garancitë kushtetuese për barazi të armëve, kishte nxjerrë vendimin e kontestuar në rrethanat e rastit konkret, pa kaluar afati për përgjigje në propozim për përsëritje të procedurës sipas dispozitave të lartcekura të Ligjit për Procedurën Kontestimore, në shkelje të të drejtave të parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Thënë këtë, Aktgjykimi gjithashtu sqaron që edhe përgjigja në ankesë e parashtruesit të kërkesës ndaj propozimit të përsëritje të procedurës, ishte dorëzuar pas afatit pesëmbëdhjetë ditor (15) të përcaktuar në ligjin e aplikueshëm. Rrjedhimisht, përkundër faktit që Gjykata Supreme ka nxjerrë vendimin e kontestuar në shkelje të dispozitave të lartcekura të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kthimi i çështjes në rivendosje në Gjykatën Supreme, nuk do të ndryshonte rezultatin për parashtruesit e kërkesës, marrë parasysh që përgjigja e tij në propozimin për përsëritje të procedurës është e pasafatshme. Për pasojë, konstatimi i Gjykatës nëpërmes këtij Aktgjykimi, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është i natyrës deklarative për parashtruesin e kërkesës.
Për më tepër, Aktgjykimi i Gjykatës në këtë rast, në asnjë mënyrë nuk paragjykon pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me të drejtën e tij në trashëgimi dhe pronë që mund të jenë duke u zhvilluar në procedura tjera gjyqësore. Përfundimisht, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata deklaroi (i) me shtatë (7) vota “për” dhe një (1) votë “kundër”, kërkesën të pranueshme; konstatoi (ii) me shtatë (7) vota “për” dhe një (1) votë “kundër”, se Aktvendimi [CPP. nr. 1/2021] i 10 marsit 2021 i Gjykatës Supreme, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iii) njëzëri refuzoi kërkesën për moszbulim të identitetit të parashtruesit të kërkesës.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org