Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot publikoi aktgjykimin në rastin KI 108/22, të parashtruar nga “Metalinvest” SH.A., në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC–I–19–0213] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 16 marsit 2022.
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kontestin në mes të parashtruesit të kërkesës dhe kompanisë “Ferronikeli“, për shkak të pretendimit se kjo e fundit nuk i kishte paguar parashtruesit të kërkesës produktet që i kishte dorëzuar në vitin 1997, si rezultat i bashkëpunimit afarist ndërmjet këtyre kompanive. Lidhur me këtë, parashtruesi i kërkesës në vitin 1997 kishte paraqitur padi ndaj kompanisë “Ferronikeli”, ndërsa në vitin 2006 kishte parashtruar kërkesën për përmbarim në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Gjykata e Qarkut e ndërpreu këtë procedurë me arsyetimin që kompania “Ferronikeli” kishte hyrë në procedurën e privatizimit.
Si pasojë, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesën në Autoritetin e Likuidimit në kuadër të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, me të cilën kërkoi arkëtimin e borxhit të pretenduar. Ankesa u refuzua nga kjo e fundit, me arsyetimin se në shkresat e lëndës nuk kishte prova që e njëjta ishte dorëzuar brenda afatit prej tre (3) vitesh nga data kur ka lindur borxhi. Parashtruesi i kërkesës më tej parashtroi ankesë edhe në Kolegjin e Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, me ç’rast kjo e fundit refuzoi kërkesën e parashtruesit, pa mbajtur seancë dëgjimore publike gjatë procedurës së zhvilluar. Njëjtë veproi edhe Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila gjithashtu refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës, duke përfshirë edhe kërkesën specifike të tij për mbajtjen e seancës dëgjimore. Për pasojë, parashtruesi i kërkesës e kontestoi para Gjykatës Aktgjykimin e Kolegjit të Apelit, duke theksuar se i njëjti është nxjerrë në kundërshtim me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe nenin 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mes tjerash, për shkak të mosmbajtjes së seancës dëgjimore.
Në vlerësimin e kërkesës së parashtruesit së kërkesës, Gjykata u fokusua në pretendimet që kishin të bënin me mungesën e seancës dëgjimore në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme dhe në atë kontekst (i) së pari shtjelloi parimet e përgjithshme lidhur me të drejtën në seancë dëgjimore siç është e garantuar me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas (ii) i zbatoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata në bazë të pesë (5) Aktgjykimeve të saj në rastet e ish-ndërmarrjes “Agimi“, si dhe, ndër të tjera, në bazë të Aktgjykimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Ramos Nunes de Carvalho e Sá kundër Portugalisë, sqaroi parimet kryesore përkitazi me (i) të drejtën në seancë dëgjimore para gjykatave të shkallës së parë; (ii) të drejtën në seancë dëgjimore para gjykatave të shkallës së dytë dhe të tretë; (iii) parimet në bazë të të cilave duhet të vërtetohet se a është seanca dëgjimore e domosdoshme; dhe (iv) nëse nuk është mbajtur seanca dëgjimore në shkallën e parë, a mund të korrigjohet me mbajtjen e seancës dëgjimore në një shkallë më të lartë dhe kriteret relevante për bërjen e këtij vlerësimi. Përveç kësaj, Gjykata konkretisht shqyrtoi dhe zbatoi praktikën e saj gjyqësore, si dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në bazë të së cilave bëhet vlerësimi se a mund të konsiderohet mungesa e kërkesës për seancë dëgjimore, heqje dorë nga ajo e drejtë.
Në bazë të këtyre parimeve, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar, përkatësisht Aktgjykimi [AC–I–19–0213] i 16 marsit 2022 i Kolegjit të Apelit, është nxjerrë në kundërshtim me garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në kuptim të së drejtës në seancë dëgjimore, ndër të tjera, për shkak se (i) fakti që parashtruesi i kërkesës nuk ka kërkuar seancë dëgjimore para Kolegjit të Specializuar, nuk nënkupton heqjen dorë nga kjo e drejtë; (ii) parashtruesi i kërkesës kishte kërkuar shprehimisht mbajtjen e një seance dëgjimore publike para Kolegjit të Apelit, duke krijuar kështu detyrimin që ky Kolegj të trajtojë domosdoshmërinë e mbajtjes së seancës dëgjimore; (iii) Kolegji i Apelit nuk kishte trajtuar “çështjet ekskluzivisht ligjore ose të natyrës së lartë teknike”, çështje këto bazuar në të cilat do të mund të kishin ekzistuar “rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin mungesën e një seance dëgjimore”, (v) Kolegji i Apelit nuk kishte arsyetuar “heqjen dorë nga seanca dëgjimore” andaj, (iv) parashtruesit të kërkesës i është mohuar e drejta në seancë dëgjimore në dy nivele të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme në kundërshtim me garancitë kushtetuese.
Si rezultat i kësaj, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i lartpërmendur i Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme duhet të deklarohet i pavlefshëm dhe të kthehet në rivendosje. Gjykata gjithashtu e theksoi faktin se, konstatimi nga ana e saj i shkeljes së nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në rrethanat e rastit konkret ndërlidhet vetëm me garancitë procedurale, përkatësisht mungesën e seancës dëgjimore në dy instanca vendimmarrëse dhe se, në asnjë mënyrë nuk ndërlidhet dhe nuk paragjykon rezultatin e meritave të rastit. Ky Aktgjykim do të plotësohet edhe me mendim konkurrues.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara.
Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org