Njoftim për publikimin e aktgjykimit KI 100/21

12.10.2021

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot publikoi aktgjykimin në rastin KI 100/21, të parashtruar nga “Moni Commerce Sh.p.k.”, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [ARJ-UZVP-nr. 72/2020], të 28 tetorit 2020.

Parashtruesi i kërkesës është kompani e cila importon mallra nga “Kompania L”, me origjinë nga Kina. Nga shkresat e lëndës rezulton që vlera e këtij malli të deklaruar për zhdoganim nga parashtruesi i kërkesës ishte ri-vlerësuar nga Dogana. Vendimi i Doganës së Kosovës për ri-vlerësim ishte kontestuar nga parashtruesi i kërkesës në shkallë të dytë tek Dogana e Kosovës, e cila vendosi që në rastin konkret, është vepruar drejtë sepse bazuar, mes tjerash, në informatat e marra në zhdoganimet e rregullta dhe çmimet e marra nga berza në kohën e blerjes së mallrave, vlera e mallit e deklaruar për zhdoganim nuk rezultonte të jetë vlera reale e paguar për mallin me qëllim importi. Për pasojë, parashtruesi i kërkesës kishte filluar procedurat në gjykatat e rregullta, duke kontestuar ligjshmërinë e vendimeve të dy instancave të Doganës së Kosovës. Në vazhdimësi të procedurave në gjykatat e rregullta, Gjykata Themelore, e Apelit dhe Supreme, respektivisht, konstatuan se Dogana e Kosovës ka vepruar drejtë me rastin e vlerësimit të mallit sipas metodës përkatëse të Kodit Doganor dhe Akcizave. Për më tepër, të njëjtat iu referuan edhe faktit që parashtruesi i kërkesës vlerën e deklaruar të mallit lëndor nuk ka mundur ta harmonizoj me vlerën që është paguar me dy transfere bankare, duke theksuar specifikisht që parashtruesi i kërkesës nuk ka vërtetuar përputhshmërinë e vlerës së transaksioneve bankare në shumën prej 7,600.00 USD dhe 5,400.00 USD, me vlerën e faturës përcjellëse të mallit që ka vlerën totale prej 22,000.00 USD.

Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese ka ngritur çështjen e vendimit të mos-arsyetuar gjyqësor, duke pretenduar se Gjykata Supreme nuk ka trajtuar, përkatësisht nuk ka arsyetuar pretendimin thelbësorë e përcaktues të tij, se të gjitha gjykatat më të ulëta kanë lexuar gabimisht faktet e reflektuara në transaksione bankare lidhur me shumën reale të paguar, përkatësisht shumën 15,400.00 USD e kanë shënuar në vendime gjyqësore si 5,400.00 USD, duke rezultuar për pasojë në konstatime të gabuara lidhur me mospërputhjen e shumës së paguar dhe të deklaruar.

Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtave të tij për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, Gjykata fillimisht shtjellojë dhe më pas aplikoi në rrethanat e rastit konkret parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke rikujtuar që bazuar në të njëjtat dhe për aq sa është relevante për rrethanat e rastit konkret, shkalla në të cilën zbatohet detyrimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit konkret, dhe se megjithatë kjo është detyrim i të gjithave gjykatave që adresojnë dhe arsyetojnë pretendimet thelbësore dhe përcaktuese të një pale. Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata konstatoi se Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme, respektivisht, nuk i kishin dhënë përgjigje parashtruesit të kërkesës lidhur me pretendimin kryesor të tij lidhur me çështjen e shumës së reflektuar në transaksionet bankare. Gjykata konsideroi se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës është thelbësor dhe për më tepër, mund të jetë përcaktues lidhur me meritat e padisë së parashtruesit të kërkesës.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara përmes nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejtat në proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke e kthyer të njëjtin në rishqyrtim në Gjykatën Supreme.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara.
Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në: https://gjk-ks.org/vendimet/.