Njoftim për medie

19.03.2012

Gjatë seancës së mbajtur më 19 mars 2012, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës u këshillua dhe votoi për Rastin KO 05/12, „Kontestimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-279, të 20 janarit 2012“.

Në këtë rast, deputeti Visar Ymeri dhe dymbëdhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, parashtruan kërkesën përmes së cilës kontestuan kushtetutshmërinë e Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-279, i cili ndër të tjera, “mirëpriti marrëveshjet” e arritura në dialogun ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dhe përmes së cilit Kuvendi “e mbështeste zbatimin e tyre të tërësishëm”.

Në kërkesën e tyre, parashtruesit pohojnë se Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë janë dy shtete me subjektivitet juridik në të drejtën ndërkombëtare; ata konsiderojnë që vendimi i marrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ishte “ratifikim i marrëveshjeve ndërkombëtare” që kërkonte procedurën e parashikuar me nenin 18 të Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, njëzëri vendosi që ta hedhë poshtë kërkesën si të papranueshme. Gjykata vlerësoi se natyra e kërkesës së parashtruesve ishte jashtë caqeve të juridiksionit të gjykatës sipas nenit 113.5 të Kushtetutës.

Teksti i plotë i Aktvendimit do t’u komunikohet palëve dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare në kohën përkatëse.