Njoftim për medie

04.05.2011

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Enver Hasani, priti sot në një takim zyrtar në ambientet e gjykatës, Ministrin për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik të Gjermanisë, z. Dirk Niebel, i cili kryesonte një delegacion zyrtarësh të lartë të këtij vendi të shoqëruar nga Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, z. Hans Dieter Steinbach.

Gjatë takimit, Kryetari Hasani e njoftoi z. Niebel lidhur me përbërjen, funksionimin dhe zhvillimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe me çështje tjera që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit në Kosovë. 

Po ashtu, Kryetari Hasani i njoftoi bashkëbiseduesit e tij edhe me sfidat me të cilat vazhdon të përballet Gjykata Kushtetuese në punën e saj, si në aspektin teknik dhe atë ligjor, duke falënderuar njëherit Qeverinë gjermane për ndihmën dhe mbështetjen e ofruar. 

Nga ana tjetër, Ministri Niebel konfirmoi edhe një herë mbështetjen e Qeverisë së tij për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke siguruar Kryetarin Hasani se institucioni që ai drejton do të gëzojë edhe më tutje ndihmën e duhur për funksionim sa më cilësor dhe në pajtim me misionin që ka.