Njoftim për medie

19.04.2011

Të hënën, më 18 prill, Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli, ka pritur në Tiranë një delegacion të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në krye me Kryetarin e Gjykatës, Prof. Dr. Enver Hasani.

Kryetari Hasani e njoftoi zonjën Topalli për veprimtarinë dhe zhvillimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke vlerësuar me rëndësi të jashtëzakonshme bashkëpunimin e kësaj Gjykate me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Zonja Topalli i inkurajoi të dy gjykatat që këtë bashkëpunim ta thellojnë edhe më tutje.

Gjatë vizitës disa ditore të delegacionit të Gjykatës Kushtetues të Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, kryetarët e të dy gjykatave, z. Enver Hasani dhe z. Bashkim Dedja, nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim reciprok.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman “Hans Seidel” për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar, organizuan në Durrës një seminar pune me temën “Kontrolli Incidental”, në të cilin referuan Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Prof. Dr. Enver Hasani dhe z. Admir Thanza, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.