Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, z. Milot Vokshi, priti në takim Sekretarin e Përgjithshëm të sapoemëruar të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, z. Eugen Papandile, të premten, më 2 shkurt 2018.
Në takimin e përbashkët, dy sekretarët diskutuan çështje me rëndësi përkitazi me veçoritë dhe dallimet në organizimin e punëve në administratën e të dy gjykatave kushtetuese, sfidat me të cilat aktualisht përballen këto institucione, si dhe përpjekjet për reforma të mëtutjeshme me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe të transparencës në punë.
Pasi i vlerësuan si shumë të mira marrëdhëniet bilaterale ndërinstitucionale, sekretari Vokshi dhe homologu i tij, Papandile, shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit reciprok nëpërmjet shkëmbimit të përvojave, organizimit të vizitave studimore dhe punëtorive të përbashkëta, në funksion të ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe përvetësimit të standardeve bashkëkohore të administrimit nga të dy gjykatat.
Sekretari Papandile, i cili në vizitë shoqërohej edhe nga këshilltari ligjor në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, z. Ermal Tauzi, zhvilloi takime të ndara edhe me drejtorët e departamenteve të ndryshme të administratës dhe me këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.