Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës do të kremtojë Vitin e 8-të Gjyqësor me një ceremoni solemne, që do të organizohet në sallën “Dyar” të hotelit “Swiss Diamond Hotel” në Prishtinë, të mërkurën, më 25 tetor 2017.
Ceremonia do të fillojë në orën 17:00 dhe në të pritet të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë, përfaqësues të akredituar të misioneve diplomatike dhe të organizatave ndërkombëtare në vend, si dhe delegacionet e nivelit më të lartë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, nga Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi, nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, nga Gjykata Kushtetuese e Bullgarisë, nga Gjykata Kushtetuese e Turqisë si dhe Gjykata e Lartë e Shqipërisë.
Me fjalim rasti, pjesëmarrësve në këtë ceremoni do t’i drejtohen kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, si dhe ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kroacisë, znj. Jasna Omejec.
Ceremonia do të përmbyllet me një koktej rasti për pjesëmarrësit.