Më poshtë fjalimi i kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, në ceremoninë e kremtimit të Përvjetorit të 241-të të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, organizuar në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë:
I nderuari Ambasador Delawie,
E nderuara znj. Kimble Delawie,
Të nderuar mysafirë,
Zonja e zotërinj,
Ndihem jashtëzakonisht e nderuar dhe e privilegjuar për ftesën tuaj që t’i adresohem, në emër të Republikës së Kosovës, kësaj audience të respektuar dhe, së bashku, të shënojmë këtë përvjetor të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sot, ne festojmë në shtetin më të ri në Evropë, i cili realizoi lirinë dhe pavarësinë e tij nëpërmjet sakrificës së popullit të vet dhe me përkrahjen e fuqishme të popullit amerikan. Andaj, ne sot, këtu, festojmë të dyja – Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe miqësinë ndërmjet nesh.
Shtetet e Bashkuara janë jo vetëm frymëzim për ne, por edhe rikujtim se fitimi i pavarësisë nuk është dhe nuk mund të jetë qëllim në vetvete. Përkundrazi, Shtetet e Bashkuara – siç i njohim sot janë rezultat i përpjekjes së vazhdueshme të popullit amerikan për ta bërë këtë shoqëri më të lirë, më të hapur, më demokratike, më të zhvilluar dhe më të mirë për të gjithë.
Amerika është shembulli më i mirë se procesi i shtetndërtimit nuk përfundon kurrë. Përpjekja e vazhdueshme e brezave të tërë për t’i dhënë kuptim pavarësisë dhe për të jetësuar shtetin, bën që secili qytetar dhe politikan, ndër breza të ndryshëm, të ketë mundësinë të japë kontributin e vet në procesin e vazhdueshëm të shtetndërtimit.
Ende nuk është bërë një dekadë nga momenti historik kur Kosova shpalli pavarësinë e saj. Koha e të arriturave historike për Kosovën nuk ka përfunduar. Përkundrazi, tani çdo e arritur, çdo progres, çdo zhvillim bën historinë, prandaj secili brez duhet të ndiejë mbi supe të veta përgjegjësinë për të dhënë kontributin e vet të vlefshëm për ndërtimin e shtetit tonë, që, ndër të tjera, bëhet i mundur nëpërmjet përforcimit të sundimit të ligjit.
Sundimi i ligjit është një ndër premisat bazë mbi të cilat ndërtohet sistemi kushtetues amerikan. Edhe Kushtetuta e Kosovës është e ndërtuar mbi të njëjtën premisë – askush nuk është mbi ligjin dhe të gjithë, pa përjashtim, janë nën kontrollin e tij. Realizimi i kësaj premise në mënyrë të plotë, megjithatë, lë ende për të dëshiruar. Kjo sfidë duhet të na shërbejë si udhërrëfyes për të përcaktuar saktë synimet dhe hapat për fuqizimin e shtetit tonë.
Kosova ka një Kushtetutë që, së pari, reflekton standardet më të larta të parimeve të demokracisë bashkëkohore, të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve dhe që reflekton praktikat më të mira të ndarjes së pushteteve. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës punon çdo ditë me përkushtimin më të madh që të mbrojë këto vlera kushtetuese. Jetësimi i këtij mandati është misioni im kryesor si Kryetare e Gjykatës dhe i gjyqtarëve, si pjesë përbërëse dhe vendimmarrëse e këtij institucioni.
Për më tepër, mbrojtja e kushtetutshmërisë dhe e ligjshmërisë duhet të jetë detyrim i secilit institucion shtetëror, i secilit zyrtar shtetëror dhe i secilit qytetar të Republikës sonë. Shembulli i Shteteve të Bashkuara reflekton sukseset që mund të arrihen kur sundimi i ligjit është baza mbi të cilën ndërtohet një shoqëri. Në realizimin e këtij synimi e kemi përkrahjen e Shtetit Amerikan dhe shumë miqve të tjerë të Kosovës. Këtë, gjithashtu, ua kemi borxh qytetarëve të Kosovës, sakrificës së tyre dhe shpresës së tyre për një të ardhme më të mirë.
Në fund, Amerika na mëson se një shoqëri nuk e përkufizojnë problemet me të cilat ballafaqohet, por mënyra se si i zgjedh këto probleme kjo shoqëri. Mënyra se si i identifikojmë dhe si i zgjidhim problemet tona është treguesi më i mirë nëse demokracia jonë funksionon.
Vendi ynë sot është para një testi tjetër të demokracisë së tij. Ndër testet e funksionimit të një shoqërie demokratike është edhe krijimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet, përkatësisht përkthimi i mandatit kushtetues në institucione përfaqësuese që janë në shërbim të popullit dhe janë përgjegjëse para popullit. Rregullat kushtetuese duhet të interpretohen në funksion të krijimit të institucioneve dhe ato nuk mund të shërbejnë si pretekst për të krijuar pengesa në procesin e krijimit të institucioneve kushtetuese të dala nga zgjedhjet.
Tejkalimi i suksesshëm i këtij testi do të jetë një indikator shtesë për qëndrueshmërinë e demokracisë së Kosovës. Një indikator shtesë për përkushtimin e të gjithave institucioneve të Kosovës, për respektimin e përforcimin e sundimit të ligjit.
Vetëm nëpërmjet këtij të fundit, e ardhmja e Kosovës do të premtojë mirëqenie për qytetarët e saj. Vetëm në një shtet ku mbizotëron sundimi i ligjit, do të festojmë edhe ne çdo vit pavarësinë tonë kokëlartë e me krenari, siç e festojnë sonte miqtë tanë amerikanë.
Uroj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli i saj të vazhdojnë të jenë një “fener i shpresës” për Kosovën e për të gjithë popujt e tjerë të botës.
Qofshi të bekuar përherë!