Njoftim për medie

23.05.2017

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, qëndroi për vizitë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese të Austrisë, në Vjenë, të martën, më 23 maj 2017.

Në takimin e zhvilluar me z. Gerhart Holzinger, kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, kryetarja Arta Rama-Hajrizi, ndër të tjera, diskutoi për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit ekzistues ndërmjet dy gjykatave kushtetuese.

Ajo e falënderoi kryetarin Holzinger për përkrahjen që Gjykata Kushtetuese e Austrisë i ka ofruar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që nga themelimi i saj, si nëpërmjet shkëmbimit të përvojave e po ashtu edhe nëpërmjet realizimit të projekteve të përbashkëta.

Në vijim të takimit, të dy kryetarët diskutuan çështje të përgjithshme të funksionimit të sistemit të drejtësisë në të dyja vendet, si dhe për sfidat ekzistuese në përpjekjet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për anëtarësim në Konferencën Evropiane të Gjykatave Kushtetuese.