Njoftim për medie

22.05.2017

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, qëndroi për vizitë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese Federale të Gjermanisë, në Karlsruhe, të hënën, më 22 maj 2017.

Ajo u prit në takim nga kryetari i kësaj gjykate, z. Andreas Voßkuhle, me të cilin diskutuan aspekte të ndryshme të thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet dy gjykatave.

Kryetarja Rama-Hajrizi e njoftoi kryetarin Voßkuhle edhe me punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të arriturat që janë shënuar në konsolidimin e gjyqësisë kushtetuese në vend, si dhe për përpjekjet e kësaj gjykate për anëtarësim në iniciativat dhe në institucionet e ndryshme ndërkombëtare.

Ajo e falënderoi kryetarin Voßkuhle për përkrahjen që Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë dhe vendi i tij i kanë ofruar në vazhdimësi Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke kontribuar kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në konsolidimin e demokracisë dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, sipas standardeve të drejtësisë ndërkombëtare.

Kryetari Voßkuhle e përgëzoi kryetaren Rama-Hajrizi për të arriturat e shënuara dhe u zotua për avancimin e përkrahjes së institucionit që udhëheq, për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.