Zëvendëskryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. dr. Ivan Çukaloviq, priti në takim kryetarin e Shoqatës Evropiane për Arsim, Ligj dhe Politika dhe njëherësh ish-kryesuesin e UNESCO-s për të Drejtën në Arsim, Prof. dr. Jan De Groof.
Gjatë bashkëbisedimit, zëvendëskryetari Çukaloviq e njoftoi profesorin De Groof me mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Gjykatës, me punën e deritanishme, si dhe me zbatimin e vendimeve të saj nga autoritetet e tjera publike në vend.
Një elaborim të shkurtër zëvendëskryetari Çukaloviq i bëri edhe procesit të vendimmarrjes, si dhe respektimit të praktikës ligjore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut gjatë shqyrtimit të kërkesave, me ç’rast vuri theksin në kontributin e vlefshëm të gjyqtarëve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Bashkëpunimi me institucionet homologe në rajon dhe më gjerë, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, procesi i emërimit të gjyqtarëve, si dhe sfidat me të cilat aktualisht përballet gjyqësia kushtetuese e Kosovës, ishin po ashtu temë e diskutimit të përbashkët.
Pasi që e falënderoi zëvendëskryetarin Çukaloviq për mikpritjen, Prof. De Groof i vlerësoi lart të arriturat e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese dhe tërhoqi vërejtjen në rëndësinë e ruajtjes së paanshmërisë dhe të pavarësisë institucionale të saj.