Njoftim për medie

01.02.2017

Në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të mërkurën, më 1 shkurt 2017, u mbajt punëtoria me temë: “Roli dhe kompetencat  e Gjykatës Kushtetuese: Raporti me gjykatat e rregullta dhe institucionet e tjera”.   

Punëtoria u organizua me iniciativë të Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe në bashkëpunim me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në të cilën morën pjesë 17 prokurorë të rinj të prokurorive themelore nga qytete të ndryshme të vendit. 

Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Gresa Caka-Nimani, dhe këshilltari i parë i Gjykatës Kushtetuese, z. Sevdail Kastrati, i njoftuan prokurorët e rinj më për së afërmi me procesin e punës dhe me rolin që ka Gjykata Kushtetuese vis-a-vis pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësorit të rregullt, si dhe për efektin e vendimeve të Gjykatës.

Në punëtori u diskutua edhe për çështjen e parashtrimit të kërkesave në Gjykatën Kushtetuese, për palët e autorizuara për parashtrimin e kërkesave në bazë të Kushtetutës, si dhe për kriteret e pranueshmërisë së kërkesave të parashtruara.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe të drejtës që gëzojnë gjykatat e rregullta për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, me kërkesat që kanë të bëjnë me përputhshmërinë kushtetuese të një ligji që mund të jetë kontestuar gjatë procedurës gjyqësore.