Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, dhe gjyqtarja, znj. Gresa Caka-Nimani, kanë udhëtuar për në Budvë, të hënën, më 19 dhjetor 2016.
Kryetarja Rama-Hajrizi dhe gjyqtarja Caka-Nimani janë ftuar për të marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare, me temë: “Roli i Gjykatës Kushtetuese në ndërtimin e sundimit të së drejtës: Mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut”, e cila do të mbahet në Budvë, më 20 dhe 21 dhjetor 2016.
Në konferencë do të marrin pjesë kryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave kushtetuese të vendeve të rajonit, të cilëve me një ligjëratë përkitazi me rolin e gjykatave kushtetuese në sundimin e të drejtës do t’u drejtohet edhe kryetarja Arta Rama-Hajrizi.
Konferenca organizohet nga Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi dhe nga Zyra e Këshillit të Evropës në këtë vend, me rastin e mijëvjeçarit të shtetësisë dhe të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Malit të Zi.