Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim njohës Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së dhe njëherësh shefen e re të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, znj. Natalija Apostolova, të enjten, më 1 dhjetor 2016.
Kryetarja Rama-Hajrizi i uroi suksese znj. Apostolova në detyrën e sapoemëruar dhe e vlerësoi si të shkëlqyeshëm bashkëpunimin e deritashëm të Gjykatës Kushtetuese me Zyrën e BE-së në Kosovë.
Përbërja dhe funksioni, bashkëpunimi me institucionet homologe dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, si dhe sfidat me të cilat vazhdon të ballafaqohet Gjykata Kushtetuese në punën e saj, ishin ndër temat që u diskutuan në takimin dypalësh.
Temë e bisedës ishin edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend, me ç’rast kryetarja Rama-Hajrizi shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen dhe për përkrahjen e vazhdueshme që Zyra e BE-së i ka ofruar Gjykatës, por edhe institucioneve të tjera vendore, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë.
Znj. Apostolova shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e Zyrës së BE-së për të përkrahur edhe më tutje Gjykatën Kushtetuese dhe institucionet e tjera në vend, për zbatimin e standardeve evropiane të drejtësisë.