Njoftim për medie

29.11.2016

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, e shoqëruar nga zëvendëskryetari i Gjykatës, z. Ivan Çukaloviq, dhe gjyqtarja, znj. Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, priti në takim ekspertin evropian të së drejtës kushtetuese dhe njëherësh shefin e Katedrës së të drejtës publike në Universitetin e Regensburgut në Gjermani, z. Rainer Arnold, të martën, më 29 nëntor 2016.

Gjatë bashkëbisedimit, kryetarja Rama-Hajrizi e njoftoi profesorin Arnold me punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese, me sfidat aktuale në funksionimin e saj, si dhe me reformat ligjore që po bëhen në funksion të avancimit të sistemit kushtetues në Republikën e Kosovës.

Ajo vuri theksin edhe në progresin e arritur në mbrojtjen më efektive të të drejtave të njeriut në vend, në përputhje me standardet evropiane, duke iu falënderuar para së gjithash zbatimit të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut gjatë shqyrtimit të kërkesave në Gjykatën Kushtetuese. 

Kryetarja Rama-Hajrizi në vazhdim e falënderoi profesorin Arnold për kontributin e dhënë në vendosjen e raporteve të bashkëpunimit ndërmjet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të Universitetit të Regensburgut, si dhe për angazhimin e tij në organizimin e projekteve të përbashkëta ndërmjet dy institucioneve në lëmin e drejtësisë kushtetuese.

Profesori Arnold e përgëzoj kryetaren Rama-Hajrizi për të arriturat e institucionit që ajo drejton dhe shprehu bindjen se zhvillimi i gjyqësisë kushtetuese është parakusht thelbësor për zhvillimin demokratik të çdo vendi.