Njoftim për medie

02.11.2016

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Projektin për reformë ligjore të Agjencisë gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar (GIZ), organizuan punëtorinë në temën: “Mediet dhe institucionet: Transparenca kundrejt konfidencialitetit”, e cila u mbajt në hotelin “Emerald” në Prishtinë, më 31 tetor dhe 1 nëntor 2016.

Qëllimi i punëtorisë, në të cilën pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues dhe udhëheqës të zyrave për komunikim dhe informim të institucioneve vendore, ishte diskutimi i sfidave me të cilat Gjykata Kushtetuese, si dhe institucionet e tjera shtetërore, përballen në punën e tyre të përditshme në raport me mediat.

Ndër të tjera, në punëtori u trajtua çështja e formave më praktike të komunikimit me mediat, hartimi dhe zhvillimi i objektivave strategjikë të komunikimit, përzgjedhja e metodave më efektive të komunikimit, si dhe kufiri ndërmjet transparencës dhe konfidencialitetit të punës së institucioneve në raport me mediat.    

Moderator i punëtorisë ishte dr. Bernd Odörfer, gjyqtar dhe zëdhënës i Gjykatës së Lartë Rajonale të Shtutgartit, i cili më herët ishte i angazhuar edhe në cilësinë e zëdhënësit të Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë.