Me rastin e shënimit të Vitit të Shtatë Gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në hotelin “Swiss Diamond Hotel” në Prishtinë, të enjten, më 27 tetor 2016, u mbajt Konferenca ndërkombëtare në temën: “Kontrolli incidental si mekanizëm kushtetues në sigurimin e kushtetutshmërisë së ligjeve në vendet në tranzicion”.
Konferencën e shpalli të hapur kryetarja e Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi, e cila në vazhdim bëri edhe një prezantim në temën: “Kontrolli incidental në fushëveprimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Gjatë diskutimit, kryetarja Rama-Hajrizi, ndër të tjera, vuri theksin në faktin se, deri më tash, në Gjykatën Kushtetuese janë parashtruar vetëm tri kërkesa për kontroll incidental (konkret) të normave juridike nga gjykatat e rregullta. Ajo tërhoqi vërejtjen se “kontrolli incidental mund të jetë shumë i dobishëm për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Republikën e Kosovës, për shkak se e drejta e institucioneve për të kërkuar vlerësimin abstrakt të kushtetutshmërisë së një ligji kufizohet nga afatet kohore”.
Me prezantimet e tyre në vazhdim të konferencës u paraqitën edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, z. Bashkim Dedja, kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, z. Xhezair Zaganjori, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, znj. Elena Gosheva, gjyqtarë të gjykatave kushtetuese të Portugalisë, të Turqisë dhe të Bullgarisë, si dhe përfaqësues institucionalë të vendit.