Njoftim për medie

30.09.2016

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim njohës shefen e re të Misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë (EULEX), znj. Alexandra Papadopoulou, të enjten, më 29 shtator 2016.

Pasi i uroi suksese në detyrën e re, kryetarja Rama-Hajrizi, fillimisht e njoftoi znj. Papadopoulou me përbërjen e Gjykatës, me punën e deritanishme, si dhe me përpjekjet e vazhdueshme që po bëhen për ngritjen e kapaciteteve profesionale të Gjykatës Kushtetuese, duke falënderuar me këtë rast edhe donatorët ndërkombëtarë për përkrahjen e ofruar.

Në vijim të bisedës, kryetarja Rama-Hajrizi, e vlerësoi si shumë të rëndësishëm rolin dhe kontributin e deritashëm të Misionit të EULEX-it në sundimin e të drejtës dhe në luftimin e krimit të organizuar në Kosovë.

Të dyja palët vunë theksin në domosdoshmërinë e ruajtjes së pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe të atij prokurorial në vend, në funksion të progresit të mëtejshëm në forcimin e ligjshmërisë.

Znj. Papadopoulou shprehu gatishmërinë e Misionit që ajo përfaqëson për mbështetjen e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe për fuqizimin e saj.