Njoftim për medie

22.09.2016

Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Bullgarisë, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, dhe gjyqtarja, Prof. dr. Snezhana Botusharova, kanë qëndruar për vizitë zyrtare në kryeqytetin bullgar, Sofje, më 21 dhe më 22 shtator 2016.

Kryetarja Rama-Hajrizi dhe gjyqtarja Botusharova janë ftuar për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare në temën “Mbrojtja e të drejtave themelore të qytetarëve dhe siguria kombëtare në botën moderne: Roli i gjykatave kushtetuese”,  e organizuar me rastin e kremtimit të 25-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë.

Gjatë qëndrimit në Sofje, kryetarja Rama-Hajrizi dhe gjyqtarja Botusharova janë pritur në takim të veçantë nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, z. Boris Velchev, ndërkaq takime të ndara kanë zhvilluar edhe me homologë të tjerë nga gjykatat kushtetuese rajonale dhe evropiane, pjesëmarrës në këtë konferencë ndërkombëtare.