Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës dhe me përkrahjen e Fondacionit gjerman për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar (IRZ), organizuan punëtorinë në temën: “Antikorrupsioni”, e cila u mbajt në Selanik, më 7 dhe 8 shtator 2016.
Në punëtori morën pjesë gjyqtarë dhe këshilltarë juridik nga të dy gjykatat, të cilët ndërmjet tjerash diskutuan dhe shkëmbyen pikëpamjet e tyre përkitazi me mekanizmat dhe me rolin e gjyqësorit në luftimin e korrupsionit, si dhe për të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm në rastet e korrupsionit, duke u bazuar në praktikën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Pjesëmarrësit në punëtori patën rastin të njihen më për së afërmi edhe me praktikat dhe me instrumentet ndërkombëtare për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, e në veçanti me kornizën ligjore dhe me mekanizmat gjyqësorë për luftimin e korrupsionit në Austri.
Në këtë temë, me prezantimet e tyre u paraqitën Prof. dr. Matthias Hartwig, ligjërues i të Drejtës Ndërkombëtare Publike dhe i të Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Heidelbergut në Gjermani, si dhe Dr. Johannes Windisch, prokuror publik në Prokurorinë Publike të Austrisë për luftimin e krimit ekonomik dhe të korrupsionit në Vjenë, të cilët njëherësh ishin edhe moderatorë të punëtorisë.