Me përkrahjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, qëndroi për një vizitë zyrtare disaditëshe në kryeqytetin amerikan, Uashington.
Ajo u ftua për të marrë pjesë në Konferencën e 13-të ndërkombëtare të Asociacionit Ndërkombëtar të Gjyqtareve, me temë: “Gratë gjyqtare dhe sundimi i ligjit: Vlerësimi i të kaluarës, në pritje të së ardhmes”, që këtë vit u mbajt më 26-29 maj 2016, në Uashington.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin amerikan, përveç takimeve me gjyqtaret e gjykatave kushtetuese dhe të gjykatave supreme të shumë shteteve të botës, kryetarja Rama-Hajrizi zhvilloi vizitë edhe në Gjykatën Supreme të SHBA-së, si dhe në Gjykatën e Apelit të Distriktit të Kolumbisë.
Konferenca e Asociacionit Ndërkombëtar të Gjyqtareve organizohet çdo dy vjet në vende të ndryshme të botës dhe ajo mbledh gjyqtaret më të spikatura anembanë globit për të shkëmbyer përvojat reciproke në fushën e sundimit të ligjit dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe për të promovuar qasjen e femrave në gjykata.