Njoftim për medie

10.03.2016

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim kryekëshilltarin ligjor të Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), z. John Simpkins, të enjten, më 10 mars 2016.

Kryetarja Rama-Hajrizi fillimisht e njoftoi z. Simpkins përkitazi me organizmin, me përbërjen dhe me procesin e punës në Gjykatën Kushtetuese, me ç’rast shprehu mirënjohjen e saj për ndihmën që e ka ofruar misioni i USAD-it në Kosovë për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe infrastrukturore të Gjykatës që nga themelimi.

Ajo veçoi disa prej sfidave kryesore me të cilat vazhdon të ballafaqohet Gjykata Kushtetuese në punën e saj, me ç’rast vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm me projekte të përbashkëta, veçanërisht në sferën e trajnimeve të gjyqtarëve dhe të këshilltarëve juridikë të Gjykatës, duke pasur në fokus përvetësimin sa më të mirë të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në vijim të bisedës u diskutuan edhe aspekte të ndryshme të raportit ekzistues ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe niveleve të tjera të pushtetit shtetëror, e në veçanti me gjyqësorin e rregullt, si dhe mundësitë që i kanë gjykatat e niveleve të tjera për të parashtruar kërkesë në këtë gjykatë.

Kryekëshilltari ligjor i USAID-it, z. John Simpkins, pasi përgëzoi kryetaren Rama-Hajrizi për punë e deritanishme të institucionit që udhëheq, ritheksoi vazhdimin e mbështetjes që USAID-i i ka dhënë Gjykatës Kushtetuese deri më tash.