Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, priti në takim ambasadoren e re të Republikës së Kroacisë në vendin tonë, znj. Marija Kapitanoviq, të mërkurën, më 10 shkurt 2016.
Kryetarja Rama-Hajrizi fillimisht i uroi suksese në detyrën e re ambasadores Kapitanoviq, të cilën e informoi në vazhdim përkitazi me përbërjen, me punën e deritanishme, si dhe me vendimet e Gjykatës që ishin më me rëndësi për aktualitetin politik në vend.
Pasi i veçoi disa nga sfidat me të cilat vazhdon të përballet Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ajo e vlerësoi si një zhvillim shumë pozitiv emërimin e dy gjyqtarëve të rinj dhe funksionalizmin e përbërjes së plotë të panelit 9-anëtarësh të gjyqtarëve në këtë institucion.
Në vazhdim të bisedës, kryetarja Rama-Hajrizi shprehu mirënjohjen e saj për kontributin e deritanishëm të Republikës së Kroacisë dhe të donatorëve të tjerë ndërkombëtarë për sundimin e së drejtës në Kosovë dhe shprehu falënderimin e veçantë për përkrahjen që i ka ofruar Gjykata Kushtetuese e këtij vendi Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për anëtarësim në Konferencën Evropiane të Gjykatave Kushtetuese.
Ambasadorja Kapitanoviq u zotua për forcimin e mbështetjes që Kroacia i ka dhënë institucioneve të Kosovës për anëtarësim në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, me ç’rast e vlerësoi si shumë të rëndësishëm rolin e Gjykatës Kushtetuese për procesin e integrimeve evropiane të vendit tonë, duke vënë theksin në rëndësinë e pavarësisë së saj vendimmarrëse dhe institucionale.