Njoftim për medie

02.10.2015

Një delegacion nga Oda e Avokatëve e Kantonit Vaud të Zvicrës, i prirë nga kryetari, z. Elie Elkaim, vizitoi Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të premten, më 2 tetor 2015.

Ata u pritën në takim nga zyrtarë të Gjykatës Kushtetuese të prirë nga gjyqtari, mr. sc. Bekim Sejdiu, i cili e njoftoi kryetarin Elkaim dhe kolegët e tij avokatë me mandatin, me juridiksionin dhe me punën e deritanishme të Gjykatës, si dhe me zbatimin e praktikave më të mira dhe të standardeve evropiane gjatë shqyrtimit të lëndëve.

Delegacioni i avokatëve zviceranë shprehu interesimin për informim më të hollësishëm edhe me problematikën e ankesave të qytetarëve ndaj punës së organeve të drejtësisë dhe të autoriteteve të tjera publike, si dhe me nivelin e përfaqësimit të tyre në Gjykatën Kushtetuese.

Të dyja palët nënvizuan rëndësinë e dhënies së këshillave të duhura ligjore për qytetarët e secilit vend, me qëllim të respektimit dhe të shfrytëzimit më efektiv të shkallëve të ankimimit në kuadër të sistemeve përkatëse gjyqësore.