Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, mr. sc. Arta Rama-Hajrizi, u takua të martën, më 30 qershor 2015, me kongresistin amerikan Eliot Engëll, i cili po qëndron për një vizitë disaditëshe në Kosovë.
Në takimin e mbajtur, kryetarja Rama-Hajrizi fillimisht e falënderoi kongresistin Engëll për vizitën dhe njëherësh i shprehu mirënjohje për angazhimin dhe për përkrahjen e vazhdueshme që SHBA-të dhe ai personalisht i kanë dhënë Kosovës në përpjekjet e saj shtetndërtuese.
Në vijim, ajo e njohu kongresistin amerikan me punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke vënë theksin në rolin e saj të rëndësishëm në respektimin e kushtetutshmërisë dhe në zhvillimin e gjyqësisë kushtetuese në vend.
Kongresisti Engëll, pasi e përgëzoi kryetaren Rama-Hajrizi për zgjedhjen e saj në krye të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e vlerësoi lart bashkëpunimin e të dyja vendeve në fushën e drejtësisë. Ai tërhoqi vërejtjen në domosdoshmërinë e pavarësisë së gjyqësorit, si kusht themelor në funksion të forcimit të demokracisë.
Në këtë aspekt, të dyja palët u pajtuan se është me rëndësi të bëhet sa më shpejt konsolidimi i mëtutjeshëm i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me zgjedhjen e dy gjyqtarëve të rinj.
Në takim mori pjesë edhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, mr. sc. Bekim Sejdiu.