Me ftesë për të marrë pjesë në Sesionin e 102-të Plenar të Komisionit të Venecias, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. dr. Enver Hasani, dhe gjyqtarja, Mr. sc. Arta Rama – Hajrizi, kanë udhëtuar për në Venecie të Italisë, të mërkurën, më 18 mars 2015.
Sesioni i 102-të Plenar i Komisionit të Venecias do të mbahet më 20 dhe 21 mars 2015, në të cilin kryetari Hasani do të marrë pjesë në cilësinë e anëtarit përfaqësues të Republikës së Kosovës, ndërkaq gjyqtarja Rama-Hajrizi si zëvendës-anëtare.
Kryetari Hasani do të marrë pjesë si panelist edhe në punimet e tri nënkomisioneve të Komisionit të Venecias: për gjyqësorin, për institucionet demokratike, si dhe për të drejtat themelore, që do të mbahen të enjten, më 19 mars 2015.
Ndërsa, të shtunën, më 21 mars 2015, kryetari Hasani do të udhëtojë nga Venecia për në Kuvajt, për të marrë pjesë në Simpoziumin e 9-të të Unionit të Gjykatave dhe të Këshillave Kushtetuese Arabe, në cilësinë e përfaqësuesit të Komisionit të Venecias.
Simpoziumi me temë: “Roli i gjyqësorit kushtetues në zhvillimin e sistemeve kushtetuese dhe politike – përvojat arabe”, do të mbahet në Kuvajt, më 22 mars 2015.