Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur për rastin KO155/14 më 13 nëntor 2014. Kërkesa është paraqitur nga Avokati i Popullit.
Gjykata Kushtetuese bën të ditur se asnjëherë dhe në asnjë rast deri më sot nuk ka pasur probleme me kuorumin e saj, që d.m.th. se çdo herë dhe në secilin rast ka pasur kuorumin e duhur si Gjykatë.
Lidhur me rastin KO155/14, të sipërpërmendur, Gjykata përsërit se nuk ka pasur asnjë kërkesë nga asnjë gjyqtar që kërkon deklarimin e rastit të lejueshëm, ashtu që me kalimin e ditës së dhjetë rasti ka marrë formën e prerë.
Një kërkesë për përjashtim nga diskutimi është paraqitur nga gjyqtari Robert Carolan një ditë para mbarimit të afatit dhjetëditor, por që ka ardhur në zyrën e Kryetarit të Gjykatës pas publikimit të vendimit. Pra, gjyqtari nuk ka ndjekur rrugën e kërkuar ligjore.
Lidhur me këtë, Gjykata, në seancat e fundit, janar-shkurt 2015, nuk është deklaruar fare për shkak se për këtë nuk është deklaruar as gjyqtari Robert Carolan.
Më 26 shkurt 2015, Avokati i Popullit ka parashtruar kërkesën me të cilën kërkohet shqyrtimi i objektit të njëjtë si në rastin e parë, kërkesë kjo e cila është regjistruar në regjistrin përkatës të Gjykatës me nr. KO22/15. Kërkesën për përjashtim nga diskutimi sërish e ka paraqitur gjyqtari Robert Carolan, këtë herë duke ia drejtuar formalisht, siç edhe kërkohet, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Prof. dr. Enver Hasanit.
Kjo kërkesë do të shqyrtohet në seancën e parë të radhës, gjatë muajit mars 2015, dhe për këtë do të njoftohen të gjitha palët dhe publiku i gjerë.
Çdo interpretim që po bëhet në publik, për gjoja falsifikime dhe kështu me radhë, vetëm sa tregon për qëllime të tjera dhe jo të kuptimit të procedurave të brendshme të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjyqësisë kushtetuese në përgjithësi.
Gjykata bën me dije se, që nga themelimi i saj e deri më sot, të gjitha aktvendimet për papranueshmëri, të cilat janë më mijëra, kanë të njëjtën formë sa i përket faqes së parë, pa asnjë përjashtim, dhe nuk kanë fare lidhje me nënshkrime të gjyqtarëve e me gjëra të ngjashme.
Deklaratat e fundit nga institucionet e caktuara të Republikës së Kosovës janë presion i drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese së Republikës së Kosovës dhe shantazh ndaj punës së saj.
Gjykata Kushtetuese, sikur deri më sot, do të qëndrojë tërësisht e pavarur në përmbushjen e detyrave dhe të obligimeve të saj kushtetuese.
Gjykata, po ashtu, bën me dije opinionin e gjerë se nuk e ka ndërmend të zmbrapset nga kryerja e detyrave të saj kushtetuese, përkundër presioneve dhe shantazheve që po i bëhen.