Njoftim për medie

03.02.2015

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. dr. Enver Hasani, priti në takim një delegacion nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Shqipërisë, me në krye ministrin Nasip Naço, të martën, më 3 shkurt 2015.

Në takimin e mbajtur, kryetari Hasani e informoi ministrin Naço dhe delegacionin shqiptar me përbërjen dhe me punën e deritashme të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke veçuar disa prej vendimeve më të rëndësishme të këtij institucioni.

Kryetari Hasani vuri theksin edhe në bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë dhe e vlerësoi të rëndësisë së lartë shkëmbimin e përvojave të ndërsjella të të dyjave vendeve në fushën e drejtësisë.

Ministri Naço, pasi nënvizoi rëndësinë e respektimit të vendimeve të gjykatave të të gjitha niveleve si parakusht për forcimin e shtetit ligjor në çdo vend, bëri një prezantim të shkurtër përkitazi me reformat që po ndërmerren në sistemin gjyqësor të Shqipërisë. 

Ai vlerësoi lart të arriturat e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në aspektin profesional dhe kontributin e dhënë në zhvillimin e gjyqësisë kushtetuese të Kosovës dhe po ashtu shprehu nevojën për shkëmbim të ideve për forcimin e mëtejshëm të gjyqësorit të pavarur në të dyja vendet.