Njoftim për medie

01.10.2014

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. dr. Enver Hasani, u prit në takim zyrtar në Vjenë nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, Prof. dr. Gerhart Holzinger, të martën, më 30 shtator 2014. 

Gjatë takimit të mbajtur, Kryetari Hasani e njohu homologun e tij austriak me zhvillimet e fundit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, si dhe me punën e vazhdueshme që po bëhet për anëtarësimin e Gjykatës në organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

Në këtë aspekt, dy kryetarët shkëmbyen pikëpamjet e tyre edhe për përkrahjen që Gjykata Kushtetuese e Austrisë mund të ofrojë për anëtarësimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Konferencën e Gjykatave Kushtetuese të Evropës, posaçërisht pas anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Komisionin e Venecias.

Kryetari Hasani po qëndron në kryeqytetin austriak për vizitë pune disa ditore, me ftesë të Akademisë Diplomatike të Vjenës.