Njoftim për medie

05.05.2010
Nga data 5-8 maj 2010, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë i kryesuar nga Kryetari i Gjykatës z. Hasim Kiliç, i shoqëruar nga tre gjyqtarë do të
qëndrojë në vizitë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Të enjten, më 6 maj me fillim në ora 10:00, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës,Prof. Dr. Enver Hasani bashkë me anëtarët e tjerë të Gjykatës do t’i organizojë një pritje të veçantë delegacionit nga Turqia.
Pas përfundimit të takimit bilateral i cila ka në fokus këmbimin e përvojave dhe diskutimin mbi sfidat aktuale të gjyqësisë kushtetuese në të dyja vendet, me fillim në ora 10:30, do të përurohet në mënyrë solemne gjykatorja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, projekt i mbështetur financiarisht në tërësi nga Gjykata Kushtetuese e Turqisë.
Përurimi do të bëhet nga kryetarët e të dyja Gjykatave, Prof. Dr. Enver Hasani dhe z.Hasim Kiliç.
Në ceremoninë e përurimit të gjykatores përveç anëtarëve të të dyja gjykatave do të marrin pjesë edhe Ministri i Drejtësisë i Kosovës Prof. Dr. Haki Demolli, Kryetari i
Gjykatës Supreme të Kosovës z. Fejzullah Hasani, Kryeprokurori i Kosovës z. Ismet Kabashi, Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës z. Enver Peci dhe mysafirë të tjerë të ftuar me këtë rast.
Pas përfundimit të ceremonisë zyrtare të përurimit të gjykatores, me fillim në ora 11:00 do të mbahet Konferencë për medie dhe do të shtrohet koktej për të pranishmit.