Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. dr. Enver Hasani, po qëndron për një vizitë pune disaditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ftesë të universitetit amerikan “SMU Dedman School of Law”, me seli në Dallas të shtetit federal Teksas, një ndër universitetet më me renome në botë me programe të specializuara në fushën e drejtësisë.
Në kuadër të kësaj vizite, të mërkurën, më 19 shkurt 2014, kryetari Hasani do të mbajë ligjëratë para studentëve dhe profesorëve të universitetit “SMU Dedman School of Law”, në temën: “Roli dhe pozita e gjykatave kushtetuese në Evropën juglindore: Rasti i Kosovës”.
Gjatë qëndrimit në Dallas, kryetari Hasani do të takohet edhe me përfaqësues të komunitetit ligjor të këtij qyteti, si dhe me zyrtarë të lartë të sistemit gjyqësor të Teksasit.