Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. dr. Enver Hasani, priti sot në takim një delegacion të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, me në krye kryetarin e kësaj gjykate, Prof. dr. Xhezair Zaganjori.
Kryetari Hasani i njoftoi mysafirët nga Shqipëria me mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si dhe për raportet me institucionet e tjera të drejtësisë në vend. Ai shfrytëzoi rastin që njëherësh të falënderojë Republikën e Shqipërisë dhe të gjithë donatorët ndërkombëtarë, për kontributin e dhënë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si dhe për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, Prof. dr. Xhezair Zaganjori, çmoi lart integritetin dhe profesionalizmin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe vuri theksin në pavarësinë e domosdoshme të gjyqësorit, si parakusht për një shtet ligjor efikas.
Ai shprehu bindjen se marrëdhëniet e mira ndërmjet institucioneve gjyqësore të të dyja vendeve do të vazhdojnë të intensifikohen edhe më tej nëpërmjet shkëmbimit të ndërsjellë të përvojave.