Të hënën, më 14 tetor 2013, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës do të shënojë Vitin e Katërt Gjyqësor me një ceremoni solemne që do të organizohet në sallën “Beethoven” të hotelit “Emerald” në Prishtinë, me fillim në orën 17:00.
Në këtë solemnitet do të marrin pjesë delegacionet e nivelit më të lartë të Gjykatës Kushtetuese të Portugalisë, të Austrisë, të Sllovenisë, të Bullgarisë, të Shqipërisë, të Maqedonisë dhe të Gjykatës Supreme të Estonisë, si dhe personalitetet më të larta shtetërore e ndërkombëtare në Kosovë.
Pjesëmarrësve në këtë ceremoni, me një fjalim rasti do t’i drejtohen kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Prof. dr. Enver Hasani, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Portugalisë, Dr. Joaquim José Coelho de Sousa Ribeiro, si dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, Prof. dr. Dimitar Velikov Tokushev.
Ceremonia do të përmbyllet me një koktej rasti për mysafirët e ftuar.