Më 3 shtator 2013, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës vendosi për rastin KO108/13 përkitazi me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Amnistinë, Nr. 04/L-209, sa i përket përmbajtjes dhe procedurës së ndjekur për miratimin e tij.
Kërkesa është parashtruar në Gjykatë, më 19 korrik 2013, nga znj. Albulena Haxhiu dhe 12 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese vendosi si vijon:
1. Njëzëri, të shpallë kërkesën të pranueshme;
2. Njëzëri, të shpallë se procedura e ndjekur për miratimin e Ligjit për Amnistinë, Nr. 04/L-209, është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës;
3. Me shumicë votash, të shpallë se Ligji për Amnistinë, Nr. 04/L-209, për sa i përket përmbajtjes, është në pajtim me Kushtetutën, me përjashtim të këtyre neneve: 1.1.10 (Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë), 1.1.11 (Zjarrvënia), 1.1.15.10 (Falsifikimi i dokumenteve), 1.1.15.11 (Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve), 1.2.5 (Dëmtimi i pasurisë së luajtshme), 1.2.9.7 (Falsifikimi i dokumenteve zyrtare), 1.3.1 (Dëmtimi i sendit të huaj), 1.3.5.6 (Falsifikimi i dokumentit) dhe 1.3.5.7 (Falsifikimi i dokumentit zyrtar);
përkitazi me veprat vijuese penale:
– nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës (Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës, nr. 19/13 2012), nenet: 333 (1), 334 (1), 398 dhe 399 (1) 1.1, 1.4;
– nga Kodi i Përkohshëm Penal i Kosovës (Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2003/25, e 6 korrikut 2003; Gazeta Zyrtare nr. 2003/25, dhe Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2004/19 për ndryshimin e Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës), nenet: 260 dhe 348;
– nga Ligji Penal i KSAK (Gazeta Zyrtare nr. 20/77 dhe Rregulloret e UNMIK-ut nr. 1999/24 dhe nr. 2000/59 përkitazi me ligjin e aplikueshëm në Kosovë), nenet: 145, 203 dhe 216.
Vendimi i Gjykatës do t’u dorëzohet palëve, do të postohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në kohën e duhur.