Njoftim për medie

25.07.2013

Në lidhje me disa spekulime në media për Ligjin për Amnisti të kontestuar pranë Gjykatës Kushtetuese përkitazi me kushtetutshmërinë e tij, Gjykata Kushtetuese thekson se Ligji nuk ka hyrë dhe nuk mund të hyjë në fuqi deri sa Gjykata të mos e nxjerrë vendimin e saj përfundimtar. Ligji Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në nenin 43, paragrafi 2, thotë se:

Në rast kur ligji apo vendimi i miratuar nga ana e Kuvendit të Republikës se Kosovës kontestohet sipas nenit 113, paragrafi 5 i Kushtetutës, ligji apo vendim i tillë mund ti dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje në pajtim me modalitetet e përcaktuara në vendimin final të Gjykatës Kushtetuese për rastin e kontestuar“.

Gjykata Kushtetuese dëshiron të tërheqë vëmendjen tek fakti se çdo përpjekje për ta shpallur Ligjin apo për ta zbatuar atë është jokushtetuese dhe një akt i tillë është i pavlefshëm. Një ligj që nuk ka hyrë në fuqi, rrjedhimisht, nuk ka pasoja juridike.  

Republika e Kosovës është shtet i sundimit të ligjit dhe është duke bërë përpjekje të mëdha për t’u bërë anëtare e plotë e institucioneve euro-atlantike. Kushtetuta dhe ligjet duhet të zbatohen në tërësinë e tyre për hir të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe prosperitetit të popullit të Kosovës.