Njoftim për medie

05.06.2013

Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i prirë nga kryetari, Prof. dr. Enver Hasani, ka udhëtuar sot për vizitë zyrtare në Romë, me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Italisë.

Qëllimi i kësaj vizite është shkëmbimi i përvojave të ndërsjella në mbrojtje të kushtetutshmërisë, trajtimin e parashtresave kushtetuese, si dhe thellimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të mira të bashkëpunimit që ekzistojnë midis dy gjykatave homologe.

Në kuadër të kësaj vizite do të mbahet edhe një seminar i përbashkët ndërmjet gjyqtarëve të të dy gjykatave kushtetuese, me ç’rast kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Prof. dr. Enver Hasani, do të mbajë një fjalim në temën: “Shembulli i Kosovës në vlerësimin e kushtetutshmërisë”.

Folës në këtë seminar do të jenë edhe zëvendëskryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Prof. dr. Ivan Çukaloviq, si dhe gjyqtarja ndërkombëtare në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Prof. dr. Snezhana Botusharova.

Gjatë qëndrimit disaditësh në Itali, krahas takimeve me gjyqtarët dhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të këtij vendi, Prof. Franco Gallo, kryetarin e Gjykatës Supreme të Italisë, Dr. Giorgio Santacroce,  delegacionit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe Kryetarit Hasani iu është rezervuar një audiencë zyrtare edhe në Parlamentin italian.
 
Kjo vizitë është  mundësuar me përkrahjen e Agjencisë gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar (GIZ).